Arifi: Po shohim neglizhencë nga qeveritë e Kosovës, po na lënë në mëshirën dhe mundësitë tona

Kandidati për deputet nga Alternativa Demokratike Shqiptare, Shqiprim Arifi, në një prononcim para mediave ka deklaruar se qytetarët e Preshevës po e dëshmojnë kulturën demokratike duke dalur për të votuar në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare që po mbahen në Serbi.

Sipas tij, në këtë mënyrë po dërgohet edhe një mesazh kundër Beogradit, për, siç tha Arifi, mohim të të drejtave që iu janë bërë që dy dekada.

“Kemi ardhur për të votuar për të dhënë mesazh gjithandej trojeve tona të cilat e kanë dëshmuar me vite edhe sot, preshevarët që të japin edhe një mesazh kundër Beogradit dhe Serbisë që ne edhe pse, na diskriminoni, dhe shkelur dhe tash në fund edhe na keni pasivizuar, na dalim votojmë dhe tregojmë artin e luftës ndaj kësaj dukurie që dy dekada. I ftojë të gjithë qytetarët të votojnë, të tregojnë edukatën demokratike. Na e dimë që I kemi dy lista shqiptare, kjo tregon diversitetin politik brenda nesh dhe pjekurinë demokratike”, tha ish-kryetari i Preshevës.

Arifi shtoi se shohin një neglizhencë të qeverive kosovare, sepse sipas tij, i kanë lënë në “mëshirën dhe mundësitë” e tyre.

“6 mijë deri 10 mijë qytetarë nuk kanë mundësi sot të votojnë. Na e shofim edhe lëvizjen e madhe nga Kosova që vinë në drejtim të Bujanocit. Na e shohim një politikë proaktive të Qeverisë së Serbisë për ta ruajtur fuqinë e tyre. Ne shohim edhe një neglizhencë të Qeverive – kosovare të cilët po na lajnë në mëshirën edhe mundësive tona, kjo është fatkeqësia jonë”, u shpreh ai.

Serbia sot po mban zgjedhet presidenciale dhe parlamentare.

Partitë shqiptare në Luginën e Preshevës po garojnë me dy lista zgjedhore me gjithsej 20 kandidatë për deputetë.

Në garë janë koalicioni i Shqiptarëve të Bashkuar me bartës liste, Shaip Kamberi dhe Alternativa Demokratike Shqiptare me bartës liste, Shqiprim Arifi.

KALLXO.com ka raportuar sot se dhjetëra qytetarë serbë janë nisur drejtë Rashkës për të votuar në zgjedhjet parlamentare dhe presindenciale të Serbisë te cilët po mbahen gjatë ditës se sotme.

Kujtojmë se zgjedhjet serbe nuk janë lejuar që të mbahen në Kosovë, ndërsa të ashpra kanë qenë reagimet e shtetit të Serbisë karshi këtij vendimi.

Pasi nuk janë lehuar qe të zhvillojnë zgjedhjet në Kosovë, qytetarët serbë  të veriut të vendit do të shkojnë të votojnë në Rashkë.

Policia e Kosovës përmes një komunikate deklaroi se në dy pikat kufitare me Serbinë ka kolona dhe pritje. Por shtuan se situata është e qetë dhe stabile.