Foto: Ilir Meta/Facebook

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut dënojnë njohjen e pavarësisë së Donetskut dhe Luhanskut nga Rusia

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka dënuar njohjen e pavarësisë së rajoneve separatiste të Ukrainës Lindore të Donetskut dhe Luhanskut nga Rusia.

Sipas Metës ky veprim i presidentit rus shkel marrëveshjen e Minskut.

“Ky akt unilateral është një shkelje e rëndë e ligjit ndërkombëtar, e marrëveshjes së Minskut, si dhe minon integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës”, ka shkruar ai në Facebook.

Tutje Meta ka thënë se Shqipëria qëndron e bashkuar me partnerët dhe aleatët në mbështetje të Ukrainës.

Reagime për këtë çështje ka pasur edhe nga Maqedonia e Veriut,

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka dënuar fuqishëm këtë veprim të Rusisë.

“Akte të tilla përfaqësojnë një shkelje të rëndë të ligjit ndërkombëtar. Maqedonia e Veriut rithekson mbështetjen e saj të qartë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”, ka shkruar Osmani në Twitter.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka nënshkruar të hënën dekretin për njohjen e pavarësisë së rajoneve ukrainase, Donetsk dhe Luhansk, të cilat kontrollohen pjesërisht nga separatistët e mbështetur nga Moska.

Rreth vendimit për të njohur këto rajone është informuar lideri francez, Emmanuel Macron dhe ai gjerman, Olaf Scholz, është thënë në deklaratën e Kremlinit.

Putin e ka nisur fjalimin e tij para kombit duke diskutuar për historinë dhe duke thënë se Ukraina moderne është “krijuar” nga Rusia.

Putin njeh pavarësinë e rajoneve në lindje të Ukrainës