Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Shpërndahet pa autorizim lista e të testuarve për COVID-19 në IKShPK

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një ndërhyrje në sisteme kompjuterike ka ndodhur para dy ditësh.

Sipas raportit policor, një person ka raportuar se lista e personave është shpërndarë pa autorizim nga e-mail adresa zyrtare në një e-mail adresë tjetër.

Rasti ka ndodhur më 19 shkurt, rreth orës 17:01, ndërsa është duke u hetuar nga Policia.

Ndërkaq, burime të KALLXO.com brenda Policisë thonë se rasti ka ndodhur në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës (IKShPK) dhe se të dhënat janë të personave të testuar për COVID-19.

KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në IKShPK por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.

IKShPK-ja edhe më herët ka qenë vendngjarje për skandale lidhur me testimet për COVID-19.

Në dhjetor të vitit të kaluar, KALLXO.com ka publikuar hulumtimin ku tregohet se si laboranti i cili u siguronte qytetarëve testim pa i përfillur procedurat dhe pa ndonjë udhëzim nga doktorët, u kap në flagrancë duke marrë një shumë prej 20 euro.

Laboranti më pas është arrestuar nën dyshimet se ka kryer dy vepra penale, atë të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe për marrje ryshfeti.