Ilustrim

Arrestimi i laborantit të IKSHPK-së për marrje të ryshfetit - LIVE

Një laborant i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike është arrestuar gjatë ditës së sotme nën dyshimet se ka kryer dy vepra penale, atë të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe për marrje ryshfeti.

Një informacion i pranuar në KALLXO.com se një person brenda IKSHPK-së po merr para për të përshpejtuar testin për COVID-19 për raste emergjente sot ka përfunduar me arrestim.

Laboranti i cili u siguronte qytetarëve testim pa i përfillur procedurat dhe pa ndonjë udhëzim nga doktorët, u kap në flagrancë duke marrë një shumë prej 20 euro.

Që nga fillimi i javës, KALLXO.com ka trajtuar rastin ku dyshohej se ishte i përfshirë laboranti. Fillimisht një person ishte paraqitur në KALLXO.com dhe tregoi përvojën e tij duke treguar se për të marrë një rezultat në mënyrë të shpejtë pasi kishte për të udhëtuar, laboranti i kishte kërkuar një shishe raki.

Pacienti nuk kishte kohë për të blerë rakinë dhe në këmbim i kishte dhënë një shumë prej pesë eurove.

Në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik kryhen testet për COVID-19 me udhëzim paraprak të ndonjë doktori. Në bazë të simptomave të cilat mund të paraqiten te qytetarët, vjen edhe udhëzimi i mjekëve që testi PCR të kryhet brena IKSHPK.

Kryerja e testeve u është lejuar edhe disa ordinancave private por çmimet variojnë prej nga 65 euro deri në  200 euro.

Të shumtë janë qytetarët që shihen para IKSHPK-së çdo ditë për t’u testuar në mënyrë që të marrin rezultatet se janë apo jo të infektuar me coronavirus.

Hulumtimi i KALLXO.com zbardhi se për të kryer testet në mënyrë të shpejtë dhe pa procedura e udhëzim duhej të jepej mito një laboranti të IKSHPK-së.

Gazetarja e KALLXO.com ditë më parë shkoi në IKSHPK për të konfirmuar lidhjen e cila bëhej mes qytetarëve dhe laborantit për të përshpejtuar testimet për coronavirus.

Duke u prezantuar se është familjare e një pacienti tjetër, gazetarja arrin të futet brenda dhomës ku merreshin mostrat, pa pasur ndonjë udhëzim ndërsa tutje merren vesh që rezultati të dal për më pak se 24 orë ndërsa marrëveshja do të bëhej kur të merrej rezultati.

Gazetarja e KALLXO.com deri sa bisedon me sigurimin që qëndron para hyrjes në IKSHPK kërkon laborantin e quajtur “Betimi”.

“Betimi po më duhet”, pyet gazetarja, “Betimi?”, ia kthen sigurimi, “Po” thotë gazetarja deri sa sigurimi i përgjigjet “Kush po e kërkon?”.

Gazetarja vazhdon dhe i tregon sigurimit se ka folë me të në telefon ndërsa vazhdon hyn brenda për të takuar Betimin.

Biseda e transmetuar sonte në hulumtimin e KALLXO.com shfaq se si laboranti nuk respekton rregullat dhe kryen testimin pa udhëzim.

Gazetarja e pyet laborantin “Qysh shkojnë procedurat për me e bo testin?”, ai ia kthen, “kush ju ka dërgu?”, ndërsa gazetarja prapë i përgjigjet se është e afërme e një pacienti tjetër që kishte paguar testin ditë më parë.

Gazetarja dëgjohet duke i thënë laborantit se do të udhëtoj jashtë vendit dhe se i duhet në mënyrë urgjente dhe të përshpejtuar rezultati i testimit për COVID-19.

Laboranti shihet në filmimet e transmetuara se e dërgon gazetaren për t’ia marrë mostrat ndërsa kur përfundon procesi i testimit merren vesh që të takohen të nesërmen për të marrë rezultatin.
Gazetarja: Unë nesër kam me udhëtu.

“A duhem me bo naj sen?” pyet gazetarja ndërsa Betimi përgjigjet “Duhesh me ardhë nesër në ora 10:00 dhe e merr testin”.

Pasi ishin marrë informacionet e para dhe gazetarja me laborantin ishin marrë vesh që të takoheshin për më pak se 24 orë, KALLXO.com mbledh të gjitha informacionet dhe kërkon bashkëpunimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Të gjithë filmimet dhe provat e siguruara i ishin dërguar Kryeprokurorit Kujtim Munishi ndërsa ky i fundit kishte filluar themelimi i ekipës hetuese të Departamentit të Krimeve Ekonomike, pasi dyshimet ishin se në IKSHPK ka afera korruptive.

Një ditë më pas, detyra e parë ishte takimi me laborantin nga i cili do të merrej edhe rezultati.

Në pamjet filmike tregohet se punonjësi takon gazetaren e KALLXO.com dhe nuk heziton t’ja japë rezultatin ashtu siç ishin marrë vesh. Pas marrjes së rezultatit nis diskutimi për pagesën e testimit të përshpejtuar ndërsa laboranti sugjeron gazetaren të dalin jashtë institutit.

“Q… më ka thënë me të pagu”, i thotë gazetarja laborantit, “hajde jashtë” ia kthen ai deri sa vërehet se për shkak të një gabimi në test duhej ta rregullonte.

“A ki dokumente?” e pyet laboranti gazetaren, “po të gjitha i kam” ia kthen ajo deri sa i jep edhe dokumentin identifikues për të rregulluar gabimin në dokumentin e rezultatit PCR.

Kur përfundon edhe rregullimi i dokumentit, laboranti dhe gazetarja drejtohen në një dhomë ku merreshin mostrat e testimit.

“I thua asaj doktoreshës, me Q. jemi marrë veshë, na pare nuk marrim”, i thotë laboranti gazetares deri sa kjo ia kthen se nuk ka kohë të shkoj e të blejë çka i kishte kërkuar.

“Ama njeri ku me shku tash me ble?” pyet gazetarja, deri sa laboranti ia kthen se mund të lëj edhe paratë.

“Sa pare duhet me i lënë?”, pyet gazetarja, “i kam 10, 20?” vazhdon ajo.

“Qashtu”, përgjigjet laboranti deri sa vazhdon bisedimi mes të dyve për pacientë të tjerë.

“Nëse ndodh dikush me pasë nevojë, a me pru te ti?”, e pyet gazetarja laborantin deri sa ai ia kthen përgjigjen “o, veç njerëz të besueshëm”.

Pas përfundimit të gjithë bisedës me laborantin, gazetarja sinjalizon policinë të cilët ishin brenda institutit se paratë ia kishte dorëzuar të dyshuarit.

Policia më saktësisht hetuesit e Departamentit të Krimeve Ekonomike menjëherë ndërmarrin masa dhe bëjnë arrestimin e të dyshuarit ndërsa paratë e marra i gjenden në xhep.

I dyshuari është arrestuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare e marrje ryshfeti ndërsa është ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit të shtetit për të vazhduar më pas me procedurat tjera ligjore.