Shpend Ahmeti - Kryetar i Prishtinës - FCB

Shpend Ahmeti: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe zgjedhjet ishin shpëtim për Avdullah Hotin dhe për LDK-në

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka komentuar zhvillimet e fundit në vend, një ditë pas mbajtjes se zgjedhjeve.

Ahmeti ka thënë se këto zgjedhje ishin shpëtim për kryeministrin në detyrë, Avdullah Hotin, duke e larguar atë nga qeverisja në momentet më të vështira të cilat po kalon vendi.

Ndërsa, sipas Ahmetit për Lëvizjen Vetëvendosje kjo është koha me e keqe për të qeverisur pasi pritjet janë joreale si shkak i ekonomosë së dobët.

“ Vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe zgjedhjet në fakt ishin shpëtim për Avdullah Hotin dhe për LDK-në. E larguan nga qeverisja në momentin më të vështirë ekonomik e financiar të Kosovës pas luftes. E poashtu edhe inicuan ndryshimet në LDK që nuk do të fillonin pa këtë debakël. Në anën tjetër, pa marr parasysh rezultatin kjo është koha më e keqe për LVV për ta marr qeverisjen. Pritjet janë joreale në kohën kur financat e shtetit dhe ekonomia janë buzë greminës”, thuhet në postimin e Ahmetit në rrjetin social Facebook.

Tutje, ai ka shtuar se prioritet i vetëm i Qeverisë së ardhshme duhet të jetë ekonomia.

“Kriza potenciale e zgjedhjes së presidentit duhet të menjanohet shumë shpejtë. Dialogu në asnjë mënyrë nuk mund të jetë prioritet. Të vetmet tri prioritete duhet të jenë ekonomia, ekonomia dhe ekonomia”, vazhdon tutje Ahmeti.