Shpejtim Bulliqi tenton ndikimin në senatorët e UP-së për avancimin e një asistenti

Kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi që në të njëjtën kohë ushtron edhe detyrën e profesorit të Gjeografisë në Universitetin e Prishtinës, Shpejtim Bulliqi po tenton të shtrijë ndikimin e tij në senatin e Universitetit të Prishtinës, duke rekomanduar asistent.

Në një email që e ka siguruar KALLXO.com, që është shkruar nga Shpejtim Bulliqi, e drejtuar për rektorin e Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti dhe Senatit të UP-së,  ai ka ‘rekomanduar’ që një kandidat për asistent në lëndën e Gjeografisë Fizike në UP, të pranohet.

UP kishte hapur konkurs për asistent në Departamentin e Gjeografisë në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore (FSHMN).

Në këtë konkurs kishin aplikuar gjithsej 3 kandidatë. Tropikë Agaj ishte renditur e para, si më e vlerësuara nga komisioni vlerësues, Arsim Nuli ishte renditur i dyti, ndërsa Leotrim Krasniqi i treti.

Bulliqi ka ‘rekomanduar’ që në këtë konkurs të pranohet Arsim Nuli, pasi sipas tij, në kohën kur Nuli ka qenë asistent i Bulliqit, ka kryer punën ‘në mënyrë profesionale’.

Fillimisht, Bulliqi në shkresën e dërguar rektorit Sahiti dhe Senatit të UP-së, thotë se duke marrë parasysh se pozita e asistentit ka qenë e kërkuar edhe nga ai dhe duke marrë parasysh ecurinë e këtij konkursi, ka dhënë mendimin e tij në lidhje me këtë çështje.

“Unë Shpejtim Bulliqi, me përgjegjësi morale dhe juridike deklaroj se Arsim Nuli gjatë angazhimit të tij si asistent në lëndët e mia nga fusha e gjeografisë fizike, ka mbajtur në mënyrë profesionale me përpikëri dhe kualitet shumë të lartë të gjitha ushtrimet e parapara me plan-program dhe sipas orarit në departamentin e Gjeografisë”, shkruan fillimisht Bulliqi.

Tutje, ai thotë se Nuli ka marrë pjesë në konsultimet me student dhe sipas tij, ai ka qenë tepër aktiv në procesin e ndihmave dhe sugjerimeve të dhëna studentëve gjatë punimit të temave të diplomës në nivelin Bachelor dhe Master.

Bulliqi në shkresën drejtuar rektorit, e ‘lavdëron’ Nulin, saqë thotë se ka kryer punë që as nuk i ka pasur të parashikuara në kontratë.

“Arsim Nuli asnjëherë nuk ka hezituar të asistoj në provimet e mbajtura me student të dyja niveleve, përkundër që nuk ka qenë i detyruar me kontratë”.

Më tutje, Bulliqi thotë se nuk pajtohet me vlerësimin e komisionit vlerësues.

“Nuk pajtohem me vlerësimin e Komisionit vlerësues në tabelën IV, ku Arsim Nuli vlerësohet me 0 pikë. Ndërsa, rektorit dhe senatit të UP-së me përgjegjësi morale dhe etike i propozoj që kandidati Arsim Nuli është meritor dhe i plotëson të gjitha kushtet profesionale dhe shkencore e etike që të zgjidhet në thirrjen përkatëse të Asistentit në konkursin e fundit të UP-së, në njësine akademike të FSHMN-së”, thuhet në fund të shkresës së Shpejtim Bulliqit, drejtuar Rektorit dhe Senatit të UP-së.

E-maili që profesori Shpejtim Bulliqi ia ka dërguar senatit të Universitetit të Prishtinës
E-maili që profesori Shpejtim Bulliqi ia ka dërguar senatit të Universitetit të Prishtinës

Në anën tjetër, Valbon Bytyçi, profesor asistent i gjeografisë, që ishte anëtar i komisionit vlerësues për këtë pozitë dhe profesori të cilit që 3 vjet i asiston Arsim Nuli në 6 lëndët e tij, i kishte vendosur Nulit zero pikë, pikërisht duke ia vlerësuar punën e dobët që ka treguar si bashkëpunëtor i jashtëm asistent.

Me 6 janar, Universiteti i Prishtinës do të mbajë mbledhje ku parashihet të vendoset fundi i sagës 7-mujore që është zhvilluar për ta ndalë Tropikë Agajn për t’u bërë asistente në Departamentin e Gjeografisë në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore, FSHMN, fakultet ky i dominuar brej burrave.

KALLXO.com publikoi të hënën hulumtimin se si Universiteti i Prishtinës pengoi avancimin e një gruaje që mori më së shumti pikë nga komisioni vlerësues i FShMN-së.

Tropikë Agaj, kandidate për t’u avancuar, ndonëse kishte dalë më e poentuar nga komisioni vlerësues i fakultetit të saj, dhe edhe pse Këshilli i Etikës së UP-së me 29 dhjetor ka dalë me një vendim që është në favor të saj, fushata që kanë zhvilluar burrat që synojnë të bëhen asistent por nuk i plotësojnë kushtet më shumë se ajo, kanë ndikuar jo vetëm që ajo të mos e marrë këtë pozitë, por edhe ta humb vendin e punës që e ka pasur jashtë UP-së.

Tropikë Agaj kandidoi për asistente dhe më 27 korrik   vlerësua si kandidatja më e poentuar nga komisioni vlerësues dhe Këshilli i Fakultetit të FSHMN-së.

UP-ja pengon avancimin e një gruaje që mori më së shumti pikë nga komisioni vlerësues i FShMN-së