Senati i UP-së nuk avancon kandidaten që mori më së shumti pikë në konkursin për asistent në FShMN

Senati i Universitetit të Prishtinës me shumicë votash ka vendosur që të mos e avancojë kandidaten Tropikë Agaj, në konkursin për asistent në departamentin e Gjeografisë në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore (FShMN), në UP.

Edhe pse Agaj kishte marrë më së shumti pikë nga Komisioni vlerësues i konkursit i FShMN-së, sot senati i UP ka vendosur të mos e avancojë.

Propozimi i Këshillit të FShMN-së ishte që Agaj të emërohet asistente, por që Senati vendosi me 13 vota kunder, 8 pro dhe 7 abstenim, duke mos e emëruar.

Me 19 tetor 2021, Senati i UP-së, i udhëhequr nga rektori Naser Sahiti, ia kishte kthyer Këshillit të Fakultetit lëndën në rishqyrtim.

Komisioni Vlerësues i FShMN-së dhe Këshilli i Fakultetit të FSHMN-së prapë e kishin vlerësuar me më së shumti pikë Agajn në vendimin e dytë të 25 tetorit.

Por, me 22 nëntor Senati i UP-së përsëri nuk e lejoi avancimin e saj. Sahiti insistoi ta refuzojë krejt rastin por senatorët insistuan që, nëse ka dyshime, rasti duhet të shkojë në Këshill të Etikës, e jo të refuzohet. Ashtu ndodhi, lënda u dërgua në Këshill të Etikës.

Objekt i shqyrtimit të Këshillit të Etikës ka qenë pyetja se a është bërë falsifikim dhe shkelje tjetër etike në botimin e punimit shkencor me të cilin po synonte të avancohej Agaj.

Se a është e drejtë apo jo të bëhet ndryshimi i autorëve ishte çështja që ishte dërguar në Këshillin e Etikës së UP-së, i cili në fund e kishte vlerësuar se nuk është “ofruar më shumë dëshmi për shkeljet e supozuara” dhe si rezultat “pushon procedura e filluar ndaj Ibrahim Ramadanit, Valbon Bytyçit, dhe Arsim Ejupit”, të tre këta anëtarë të komisionit që ka vlerësuar Agajn me më së shumti poena.

Në lidhje me konkursin, kryetari i Podujevës dhe njëkohësisht profesor i Gjeografisë në FShMN, Shpejtim Bulliqi, kishte dërguar një letër rektorit Naser Sahiti dhe Senatit të UP-së, duke i rekomanduar atyre që të emërojnë asistent kandidatin e dytë me radhë, Arsim Nulin.

Bulliqi në një përgjigje për KALLXO.com, e kishte mohuar se ka tentuar ushtruar ndikimin e tij në Senatin e UP-së.

Në anën tjetër, në këtë mbledhje të Senatit të UP-së propozimi i FShMN-së që profesori Ibrahim Ramadani të avancohet në profesor të rregullt u refuzua me 13 vota kunder, 8 pro dhe 9 abstenim.

Gjithashtu, në këtë mbledhje Senati vendosi që të mos emërohet asnjë kandidat në një konkurs të Fakultetit të Mjekësisë për asistent, për shkak se raporti i Komisionit vlerësues të konkursit, nuk ishte i plotë.

UP-ja pengon avancimin e një gruaje që mori më së shumti pikë nga komisioni vlerësues i FShMN-së