Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Bulliqi mohon se ka tentuar ndikimin në konkursin e UP për avancimin e një asistenti

Shpejtim Bulliqi, profesor i Gjeografisë në Universitetin e Prishtinës, në të njëjtën kohë kryetar i Podujevës, ka mohuar se ka tentuar ushtrimin e ndikimit të tij si profesor, në një konkurs të Universitetit të Prishtinës, për avancimin e një studenti.

Në një e-mail që e ka siguruar KALLXO.com, që është shkruar nga Bulliqi, e drejtuar për rektorin e Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti dhe Senatit të UP-së, ai ka ‘rekomanduar’ që një kandidat për asistent në lëndën e Gjeografisë Fizike në UP, të pranohet.

UP kishte hapur konkurs për asistent në Departamentin e Gjeografisë në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore (FSHMN).

Për KALLXO.com, Bulliqi ka thënë se nuk ka tentuar ushtrim të ndikimit, por sipas tij, thjesht ka treguar ‘një të vërtetë’, pasi është ai vet që si profesor ka kërkuar asistentin.

Bulliqi thotë se vlerësimi i Komisionit të konkursit, ndaj kandidatit me emrin Arsim Nuli është i padrejtë dhe tendencioz. Bulliqi ka pretenduar se kandidatja që është vlerësuar e para nga Komisioni, ka lidhje familjare me njërin nga anëtarët e Komisionit, po pa treguar saktë se cila është lidhja.

“Ai djali së pari është doktor shkence, ka mbajtur dy vite ushtrime në lëndët e mia, atë asistent e kam kërkuar unë, për lëndët e mia, e jo të tjerëve. Ajo vajzë, nuk kam asgjë kundër saj, është studente e imja, sikurse ky tjetri”, ka thënë Bulliqi përmes telefonit.

“Pyetni se çka e ka Ibrahim Ramadani atë vajzë, që është anëtar i Komisionit. Këtë djalë nuk është e vërtetë që e kanë vlerësuar me 0 pikë, sepse i ka mbajtur ushtrimet të gjitha, ka asistuar në çdo provim timin. Por për mu, një titull doktor shkence në fushën që kërkohet, i doktoruar djali dhe një vajzë me master dhe që e njoh kapacitetin e saj, po them se nuk është në rregull”.

Sipas Bulliqit, në kushte normale është dashtë që ai vet ta shkruajë referatin, sepse sipas tij, është ai që e ka kërkuar asistentin.

“Unë e kam pasur obligim sepse është asistent i imi, nesër ndoshta mundet me qenë prapë asistent dhe e kam pas për obligim me iu sqaru kolegëve të mi këtë situatë, kjo ka qenë arsyeja krejt. Në qoftë se unë kam kërkuar asistent dhe kam tregu në realitet çka ka ndodhë, unë nuk e di çfarë ushtrim të ndikimit ka, qysh po e shihni ju ushtrim të ndikimit”, ka thënë Bulliqi.

KALLXO.com ka kontaktuar me Ibrahim Ramadanin, që është kryesues i Komisionit vlerësues. Ramadani përmes telefonit ka thënë se Bulliqi nuk ka të drejtë apo kompetencë që të jap mendim për ndonjë kandidat.

Ndërsa ka mohuar se ka ndonjë lidhje familjare me kandidaten Tropikë Agaj.

“Jo, nuk ka as të drejtë e as kompetencë. Ndërsa sa i përket lidhjes familjare, absolutisht nuk është e vërtetë, kjo mundet me u vërtetu shumë lehtë. Asistenti vetëm dy lëndë, i ka te Bulliqi, shumicën e lëndëve tjera i ka të Valbon Bytyqi. Krejt instancat e kanë jap verdiktitin pozitiv, me Këshill të Etikës, me Këshillin e FSHMN-së, tash vetëm senatit i mbetet të merr vendim”, ka thënë Ramadanin për KALLXO.com.

Anëtari tjetër i Komisionit vlerësues, Valbon Bytyqi thotë se fillimisht në Komision kanë qenë të caktuar vet ai, Shpejtim Bulliqi dhe Florim Isufi.

Sipas Bytyqit, Isufi dhe Bulliqi janë larguar më pas nga Komisioni vlerësues.

“Në Këshill të Fakultetit, në bazë të Rregullores Bulliqi u largua sepse është i jashtëm, kryetar i komunës. Isufi është hequr sepse është strukturë udhëheqëse në UP. Më pas kam propozuar që anëtar të Komisionit të jemi unë (Valbon Bytyqi), Ibrahim Ramadani dhe Arsim Ejupi”, ka thënë Bytyqi për KALLXO.com, duke bërë të ditur se kjo përbërje është aprovuar me vota unanime të Këshillit të Fakultetit.

Tutje, Bytyqi thotë se Shpejtim Bulliqi ka kompetenca të kufizuara, pasi që është bashkëpunëtor i jashtëm.

“Bulliqi nuk ka kontratë të rregullt me UP. Nuk ka të drejtë vote. Ai është bashkëpunëtor i jashtëm, prandaj ka kompetenca të kufizuara. Ai paguhet sa mban mësim. Me zgjedhjen e tij si kryetar ka hequr dorë nga UP-ja, prandaj UP-ja nuk duhet të ketë kurrfarë obligimi ndaj tij. Me UP e lidh vetëm honorari që merr”, thotë ai.

Me 6 janar, Universiteti i Prishtinës do të mbajë mbledhje ku parashihet të vendoset fundi i sagës 7-mujore që është zhvilluar për ta ndalë Tropikë Agajn për t’u bërë asistente në Departamentin e Gjeografisë në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore, FSHMN, fakultet ky i dominuar brej burrave.

KALLXO.com publikoi të hënën hulumtimin se si Universiteti i Prishtinës pengoi avancimin e një gruaje që mori më së shumti pikë nga komisioni vlerësues i FShMN-së.

Tropikë Agaj, kandidate për t’u avancuar, ndonëse kishte dalë më e poentuar nga komisioni vlerësues i fakultetit të saj, dhe edhe pse Këshilli i Etikës së UP-së me 29 dhjetor ka dalë me një vendim që është në favor të saj, fushata që kanë zhvilluar burrat që synojnë të bëhen asistent por nuk i plotësojnë kushtet më shumë se ajo, kanë ndikuar jo vetëm që ajo të mos e marrë këtë pozitë, por edhe ta humb vendin e punës që e ka pasur jashtë UP-së.

Tropikë Agaj kandidoi për asistente dhe më 27 korrik   vlerësua si kandidatja më e poentuar nga komisioni vlerësues dhe Këshilli i Fakultetit të FSHMN-së.

Shpejtim Bulliqi tenton ndikimin në senatorët e UP-së për avancimin e një asistenti