Shembet një pjesë e objektit të FShMN-së, shkak punimet dhe vjetërsia e objektit

Dekania e Fakultetit të Filologjisë, Lindita Sejdiu Rugova, ka njoftuar se mbrëmë më 6 maj, është shembur një pjesë e Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore.

Menjëherë pas shembjes, Sejdiu rugova tha se ka shkuar në vend të ngjarjes me dy dekanët e fakulteteve që e shfrytëzojnë këtë ndërtesë dekanët e Fakultetit Filozofik dhe FShMN-së.

Dekanja Sejdiu Rugova tha se ndërtesa është e vjetër dhe kanë pasur vazhdimisht probleme të ndryshme që lidhen me dëmtimet e shumta brenda dhe jashtë saj.

Sejdiu Rugova tha për KALLXO.com se në prill 2021 kanë filluar punimet për drenazhimin e objektit të Fakultetit të Filologjisë, të FSHMN-së dhe të Filozofikut, investim i UP-së për të tria fakultetet.

“Pjesa që është shembur, është përdorur nga FSHMN-ja dhe jemi përpjekur me kompaninë e sigurimit t’i bllokojmë korridoret që shpien drejt hapësirës ku ka ndodhur shembja e murit. Me gjasë ajo pjesë është aneksuar më vonë dhe nuk ka qenë e lidhur për strukturën e bazës së ndërtesës”, tha ajo.

Sejdiu Rugova, shtoi se UP-ja e ka caktuar një kompani mbikëqyrëse që e kontrollon punën e kompanisë ndërtimore.

“Meqë janë punë ndërtimtarie dhe me specifika konkrete qe ne si dekanate nuk mund t’i përcjellim si laikë që jemi në ndërtimtari”, shtoi ajo.