Shoqërohen dy persona në polici në Zveçan, u panë duke vendosur mbrojtëse hekuri në dyert e komunës

Dy persona të dyshuar të cilët u panë duke vendosur mbrojtëse hekuri në dyert e Komunës së Zveçanit, janë shoqëruar në polici për intervistim sot pas mesnatës.

KALLXO.com ka kontaktuar më zëvendësdrejtorin rajonal të Mitrovicës së veriut, Veton Elshani i cili konfirmoi rastin duke thënë se janë duke hetuar se çka saktësisht ndodhi.

“Mund të ju konfirmoj se rreth orës 1, pra pasmesnatës, policia ka vërejtur dy persona deri sa po vendosnin mbrojtëse të hekurta në dyert e komunës së Zveçanit. Duke marrë edhe parasysh kohën, është konstatuar se kemi të bëjmë me veprën penale të prishjes së rendit dhe qetësisë publike, zyrtarët policorë kanë shoqëruar në stacion dy persona”- tha Elshani për KALLXO.com.

Tutje ai shtoi se dy personat e shoqëruar në polici janë intervistuar dhe më pas janë liruar.

Elshani nuk dha detaje në lidhje me deklaratat e dy burrave se pse vendosën mbrojtëse hekuri në dyert e komunës.