Protestat në Shkup, Pamjet: VOA

Shkup, mbi 40 policë të lënduar në protestat kundër marrëveshjes me Bullgarinë

Të paktën 47 pjesëtarë të policisë u plagosën gjatë përplasjeve të martën në mbrëmje me grupe protestuesish, që hodhën shishe me benzinë, gurë e mjete piroteknike mbi ndërtesën e parlamentit të Maqedonisë së Veriut, duke kundërshtuar propozimin francez për një marrëveshje me Bullgarinë, që do të hapte rrugën për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ministria e Punëve të Brendshme tha se njëmbëdhjetë policë janë plagosur rëndë ndërsa janë shkaktuar dëme materiale në ndërtesën e parlamentit si dhe në ndërtesën e qeverisë dhe ministrisë së Brendshme.

Protestuesit të mbështetur nga opozita maqedonase e quajnë propozimin francez të dëmshëm ndaj interesave kombëtare dhe shtetërore maqedonase, sepse sipas tyre, “prek gjuhën, identitetin dhe historinë e maqedonasve”.

Autoritetet thanë se janë arrestuar njëmbëdhjetë protestues të dhunshëm.

Sulmin e dënoi kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski duke theksuar se dhuna nuk mund të arsyetohet me asgjë.

“Protestat janë e drejtë demokratike e qytetarëve, por ajo që ndodhi mbrëmë para Parlamentit nuk është fytyra e vërtetë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, vend anëtar i NATO-s”, thuhet në një komunikatë të zyrës së kryeministrit Kovaçevski, në të cilën theksohet se policia po kryente me profesionalizëm detyrën e saj duke mbrojtur qytetarët dhe institucionet shtetërore.

“Dhuna dhe urrejtja nuk janë zgjidhje e asnjë problemi. Zjarrvënësit i porosis: mos manipuloni me qytetarët e rinj për të kënaqur oreksin tuaj politik! 27 prilli (2017, kur ndodhën sulmet e dhunshme në parlament me ç’rast lëndime pësuan shume deputetë) nuk do të përsëritet”, shkroi kryeministri Kovaçevski në Facebook.

Një pjesë e analistëve vlerëson se demonstratat e dhunshme, pas të cilave qëndrojnë partitë nacionaliste VMRO-DPMNE dhe “E Majta”, mund të jenë nxitur nga propaganda ruse, ndërsa synojnë destabilizimin e vendit dhe nxitjen e konfliktit ndëretnik./VOA