ShKSUK bleu pajisje në vlerë 6 milionë euro gjatë 2019-ës

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës ka prezantuar sot rezultatet e punës gjatë vitit 2019.

Drejtori i përgjithshëm i ShSKUK-së, Basri Sejdiu, tha se përkundër vitit 2018, ky vit për shërbimin Spitalor ka qenë më i lehtë.

Sejdiu në konferencë përmendi investimet që ShSKUK ka bërë në klinikat e QKUK-së, me theks të veçantë blerjen e pajisjeve në vlerë prej 6 milionë eurove.

“Këtë vit kemi arritur të kemi rezultate më të prekshme për pacientët. Falënderoj të gjithë ata që kanë kontribuar që shëndetësia të ketë një përparim dhe të ketë pacientin në qendër. Klinika e Imunologjisë me Alergologjisë nuk bën të mos përmend kur është fjala për investimet, kjo klinikë ka funksionuar me dy dhoma, ndërsa tash është krijuar një klinikë në vete”, ka thënë Sejdiu.

Ai ka shtuar se në vitin 2020 Shërbimi Spitalor do të shtojë shërbime të reja, të cilat nuk kanë qenë deri më tash.

“Këtë vit u kemi dhënë prioritet edhe spitaleve rajonale dhe klinikave në kuadër të QKUK. Ne kemi investuar edhe në pajisje, për të ngritur nivelin e shërbimeve shëndetësore. Vitin e kaluar kemi investuar 3.5 milionë ndërsa këtë vit kemi investuar në pajisje 6 milionë. Me investimet nëpër klinika dhe pajisje ne kemi arritur të kursejmë pacientin. Ne e kemi në plan që në vitin 2020 të lehtësojmë edhe më shumë problemet e pacientëve. Ne do të investojmë në shumë shërbime e gjithashtu edhe viti 2020 do të na gjejë edhe me shërbime të reja, të cilat nuk i kemi pasur deri më tash”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Uran Ismajli, ka thënë se ShSKUK ka me çka të krenohet.

Ismajli ka falënderuar të gjithë bashkëpunëtorët e sidomos mjekët, të cilët sipas tij janë akterët kryesor për arritjet e bëra.

“Viti 2020 është viti i sigurimeve shëndetësore dhe shpresoj se do të gëzohemi gjatë këtij viti. Sot do të jem për herë të fundit para jush në formë të këtij formati, por jam shumë i lumtur që po e mbyllim vitin 2019 me buzëqeshje nga rezultatet, që i kemi arritur. Këto dy vite kanë qenë barrë e rëndë dhe privilegj i madh, e sot një krenari shumë e madhe. Rezultatet po shihen por ka ende punë, ka individë që duhet të përmirësohen, sistem që duhet të ndryshohet por janë të arritshme të gjitha me punë”, ka thënë Ismajli.

Në anën tjetër, Ismajli para mjekëve ka përmendur edhe dërgimin e Ligjit të Pagave në Kushtetuese nga Avokati i Popullit.

Ai ka reaguar duke thënë që nuk është dashur të pres deri tash për ta dërguar në Kushtetuese.

“Unë kam reaguar dje për vendimin e Avokatit të Popullit sepse ne kemi punuar bashkë që të arrijmë këtu. Ata nuk kanë pasur nevojë që të presin momentin e fundit për të na thënë këtë sepse kanë pasur kohë mjaftë. Ka buxhet të mjaftueshëm dhe nëse paguhen edhe mjekët edhe infermierët nuk ka ndonjë ndikim negativ në buxhet. Në këtë moment krenarie të mos harrojmë që kemi shumë punë për të bërë. Unë do të jem pranë sektorit të shëndetësisë edhe në pozitën si deputet”, tha ai.

Ismajli ka shtuar edhe problemin e mungesës së sigurimeve shëndetësore në Kosovë si vendi i vetëm në Rajon pa këtë shërbim duke kërkuar mobilizimin e punëtorëve shëndetësor për të arritur një gjë të tillë.