ShSKUK: Po pranojmë pacientë me COVID-19 edhe pse ka mbingarkesë në spitale

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar (ShSKUK) ka njoftuar se do të pranojnë të gjithë pacientët që kanë nevojë. 

ShSKUK ka reaguar pas disa raportimeve se pacientë të sëmurë me COVID-19 dhe në gjendje të rëndë nuk po pranohen për spitalizim. 

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka sqaruar se përkundër mbingarkesave me të cilat po përballen klinikat e QKUK-së dhe spitalet e përgjithshme, çdo i sëmurë që ka nevojë për trajtim pranohet për spitalizim.

“Sa i përket pacientit me inicialet B.A, ai është paraqitur në Zyrën e pranimit në Klinikën Infektive, por nuk ka qenë i konfirmuar me Rt-PCR si Covid-19, përderisa klinika pranon vetëm rastet e konfirmuara me të cilat është e stërmbushur”, thuhet në njoftimin e ShSKUK-ut. 

Sipas tyre, i njëjti pacient, ishte referuar në Klinikën Infektive 2, e njohur si Mjekësia Sportive, por meqë kishte probleme të rënda të  natyrës kronike në mushkëri, ishte udhëzuar për pranim në Klinikën e Pulmologjisë, në të cilën është pranuar dhe po e vazhdon trajtimin.

“Menaxhmenti i ShSKUK do të ndërmarrë masat konform legjislacionit në fuqi, ndaj kujdo që vërtetohet se nuk ka kryer detyrat e punës”, thuhet tutje në njoftim.

ShSKUK ka thënë se kanë shtuar kapacitetet dhe janë vënë në përdorim edhe disa hapësira tjera për spitalizim si dhe janë mobilizuar mjekë dhe infermierë të cilët po merren me pacientët e dyshuar dhe të konfirmuar me coronavirus. 

“Edhe pas 1 viti të përballjes me Covid-19, mjekët, infermierët dhe stafi tjetër mbështetës po japin maskimumin e tyre për të trajtuar pacientët me Covid”, thuhet në fund të njoftimit.