Shkolla fillore "Beqir Gashi" në fshatin Mleqan, Malishevë

Shkolla në Malishevë ende pa mësimdhënës të gjeografisë

Drejtoria e Arsimit në Malishevë ka caktuar njërin nga dy mësimdhënësit që i kanë munguar shkollës fillore “Beqir Gashi” në fshatin Mleqan nga muaji dhjetor i vitit 2023.

Më 26.02.2024, KALLXO.com ka raportuar për mungesën e dy mësimdhënësve të lëndës së historisë dhe gjeografisë në këtë shkollë dhe se drejtori i kësaj shkolle, Fazli Kryeziu, ishte angazhuar edhe në detyrën e mësimdhënësit për këto dy lëndë.

Në një përgjigje për KALLXO.com, DKA Malishevë kishte bërë të ditur se kanë hapur konkurs më 28.12.2023 për këta mësimdhënës dhe se së shpejti do të publikoheshin emrat e kandidatëve fitues për këto dy pozita.

Përveç kësaj, kjo shkollë është ballafaquar edhe me telashe të faqes në Facebook që mban emrin e saj, të cilën e menaxhon ish-drejtori i kësaj shkolle, Fehmi Kryeziu.

Arbëreshë Krasniqi, drejtoreshë e Arsimit në Malishevë, kur është kontaktuar nga KALLXO.com ka njoftuar se mësimdhënësi i historisë është caktuar, ndërsa ai i gjeografisë pritet deri më 14.03.2024 të caktohet.

“Për histori është mësimdhënësi, i cili është historian ka pasur gjysmë norme, ai e ka fitu të drejtën që të plotësohet në normë, ndërsa për gjeografi besoj që sot maksimalisht nesër do të shpallet rezultati” – ka deklaruar Krasniqi.

Krasniqi ka shtuar se mësimdhënësi i historisë është caktuar në atë mënyrë pasi ka paraqitur kërkesë në DKA për plotësim të normës.

“Për lëndën e historisë procedurat kanë shku deri në intervistim. Por, gjatë kësaj periudhe e kemi vërejtur që personi d.m.th. një prej mësimdhënësve, i cili e mban lëndën e historisë, i profilizuar në këtë orientim, nuk e ka pasë të plotësuar normën mësimore, kështu që jemi obligu që t’ia plotësojmë normën” – ka thënë ajo.

KALLXO.com ka provuar të marrë përgjigje edhe nga drejtori i shkollës, Fazli Kryeziu, mirëpo ai nuk ka pranuar të japë informata dhe e ka mbyllur telefonin.

Në lidhje me menaxhimin e faqes në Facebook që mban emrin e shkollës nga ish-drejtori, Krasniqi ka thënë se ai nuk ka të drejtë ta menaxhojë atë dhe se nuk ka informacione se a i është kthyer faqja Fazli Kryeziut.

“Ish-drejtori nuk ka të drejtë me menaxhu faqen e shkollës, tash ne jemi në procedura edhe kemi diskutu që ajo faqe do t’i kalohet drejtorit që është tash duke ushtru detyrën. Deri tash nuk kam informacion, po besoj që edhe kjo çështje do të rregullohet” – ka përfunduar Krasniqi.

Në anën tjetër, Fehmi Kryeziu e ka pranuar se nuk ia ka kthyer faqen e shkollës Fazli Kryeziut.

“Jo, akoma jo. Puna është se Facebook-u është i lidhur personal me Facebook-un tim ajo faqe” – ka arsyetuar ai.

Pavarësisht kësaj, ai ka theksuar se kjo faqe nuk do të jetë aktive nga ana e tij.

Se a është kontaktuar nga DKA Malishevë në lidhje me këtë çështje ai e ka mohuar. “Jo, ata asnjëherë faktikisht nuk kanë tregu drejt se asnjëherë nuk kanë kërku prej meje” – ka treguar Kryeziu.

Sipas tij, para një jave ka ardhur një mësimdhënës i historisë, ndërsa lëndën e gjeografisë po vazhdon ta japë Fazli Kryeziu.