Shërbimi i sigurisë ukrainase: Komploti për ta vrarë Zelenskiyn ka dështuar  

Shërbimi i sigurisë i Ukrainës thotë se e ka prishur një komplot për të vrarë presidentin, Volodymyr Zelenskiy, pas arrestimit të një gruaje të dyshuar për mbledhjen e informacioneve për lëvizjet e tij. Gruaja e paidentifikuar u tha nga shërbimi i sigurisë, i njohur si SBU, se po mblidhte informacion në lidhje me vizitën e Zelenskiy në rajonin jugor të Mykolaiv, ku Rusia po planifikon të ndërmarrë një sulm të madh ajror.

Agjentët e SBU-së kishin marrë informacion në lidhje me “aktivitetet subversive të të dyshuarit” dhe kishin marrë masa shtesë sigurie, duke prishur komplotin.

SBU tha se e ka kapur gruan “në veprim” pasi ajo “po përpiqej t’u transmetonte inteligjencë pushtuesve”.

Në monitorimin e komunikimeve të gruas, SBU konstatoi se ajo gjithashtu kishte për detyrë të identifikonte vendndodhjen e sistemeve të luftës elektronike dhe magazinat me municione të forcave të armatosura.

Ndërkohë, zhvillime tjera në dhe rreth luftës në Ukrainë, janë si në vijim:

Dy sulme me raketa ruse lanë të vrarë pesë persona dhe plagosën 31 pas sulmit në ndërtesat e banimit në qytetin lindor të Ukrainës, Pokrovsk, në rajonin e Donetskut, tha të hënën ministri i brendshëm i Ukrainës, Ihor Klymenko. Sipas Klymenko, katër civilë vdiqën në sulmin e parë dhe një zyrtar i emergjencës në Donetsk u vra gjatë sulmit të dytë.

Autoritetet e Ukrainës thanë të hënën se janë “shumë të kënaqura” me një samit të mbajtur në Jeddah të Arabisë Saudite gjatë fundjavës për një zgjidhje paqeje. Rusia nuk ishte e ftuar. Morën pjesë përfaqësues nga rreth 40 vende, përfshirë Kinën, Indinë, SHBA-në dhe Ukrainën.

Ministria e Jashtme e Kinës tha se bisedimet saudite ndihmuan në “konsolidimin e konsensusit ndërkombëtar”. I dërguari i posaçëm i Kinës për çështjet euroaziatike, Li Hui, “pati kontakte dhe komunikim të gjerë me të gjitha palët për zgjidhjen politike të krizës në Ukrainë… dëgjoi mendimet dhe propozimet e të gjitha palëve dhe konsolidoi më tej konsensusin ndërkombëtar”, thotë ministria e jashtme.

Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, foli të hënën me homologun e tij rus Sergei Lavrov në telefon, thuhet në një deklaratë lëshuar nga ministria e jashtme kineze. Lidhur me luftën në Ukrainë, ëang i tha Lavrovit se Kina do të mbajë një pozicion të pavarur dhe të paanshëm, do të promovojë në mënyrë aktive bisedimet e paqes dhe do të përpiqet të gjejë një zgjidhje politike për këtë çështje, sipas deklaratës, raportoi Reuters.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, zhvilloi një telefonatë me homologun e tij amerikan, Antony Blinken, gjatë së cilës kërkoi raketa me rreze të gjatë veprimi ATACMS. “Në thirrjen tonë, [Antony Blinken] dhe unë i diskutuam hapat e mëtejshëm për ta zgjeruar mbështetjen globale për formulën e paqes dhe zgjidhjet për të zgjeruar eksportet e grurit”.

Qeveria e Polonisë e akuzoi të hënën Bjellorusinë dhe Rusinë për orkestrimin e një fluksi tjetër migracioni në BE përmes kufirit polak, me qëllim destabilizimin e rajonit. Roja kufitare e Polonisë i ka kërkuar ministrisë së mbrojtjes që të dërgojë edhe 1000 trupa të tjera në kufirin me Bjellorusinë. Udhëheqësi i rojes kufitare, Tomasz Praga, tha se këtë vit 19,000 njerëz kanë bërë përpjekje për ta kaluar kufirin ilegalisht, nga 16,000 sosh sa ishin në vitin 2022.

Ukraina ka publikuar pamje të të burgosurve të luftës të kthyer nga Rusia. Andriy Yermak, kreu i zyrës së presidencës ukrainase, njoftoi se 22 ushtarë të tjerë ukrainas janë kthyer.

Një deputet ukrainas tha të hënën se fraksionet kryesore parlamentare në Gjermani kanë “arritur një konsensus” për ta furnizuar Ukrainën me raketa lundrimi Taurus me një rreze veprimi prej 500 km , mirëpo një vendim zyrtar ende nuk është marrë ende. Reuters raportoi se ministria gjermane e mbrojtjes ka thënë se pozicioni i Berlinit nuk ka ndryshuar: se ai nuk planifikon t’i furnizojë ato dhe nuk janë prioriteti më urgjent për momentin.

Statujës së ‘Nënës Ukrainë’ në Kiev, një nga monumentet më të njohura të Ukrainës, i është hequr simboli i saj me çekiç dhe drapër. Zyrtarët e zëvendësuan stemën e epokës sovjetike me stemën treshe të Ukrainës si pjesë e një fushate për ta rifituar identitetin kulturor të Ukrainës nga epoka komuniste./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala