Shefi i operacioneve në Polici thotë se ekziston plani i detajuar për largimin e barrikadave

Për largimin e barrikadave që janë të vendosura tash e 12 ditë në veriun e vendit, Policia e Kosovës e ka një plan të detajuar, ka thënë Drejtori i Operacioneve në Policinë e Kosovës, Gazmend Hoxha në intervistën për “Kallxo Pernime”.

Hoxha ka treguar se nga ana e Policinë është një plan i detajuar për ndërhyrje në çdo barrikadë dhe se ky plan do të realizohet atëherë kur vlerësohet që pasojat do të jenë minimale.

“Policia e Kosovës ka kapacitete për të larguar barrikadat. Policia ka njerëzit e trajnuar dhe të përgatitur dhe ka pajisje për të larguar ato barrikada. Policia ka plan të detajuar për ndërhyrje në çdo barrikadë dhe do ta bëjmë këtë atëherë kur vlerësohet që pasojat do të jenë minimale” – ka thënë ai.

Tutje, Hoxha ka shtuar se barrikadat do të largohen kur të bëhet një vlerësim i drejtë që interesi i shtetit, policëve dhe qytetarëve të mos ketë pasoja.

“Barrikadat do të largohen në momentin që bëhet një vlerësim i drejtë dhe në momentin që vendoset që interesi i shtetit tonë, i qytetarëve tonë, i policisë tonë do të ketë më së paku pasoja gjatë veprimeve tona. Në momentin që e bëjmë një vlerësim të tillë atëherë do të kryhet edhe puna e ndërhyrjes” – ka treguar Hoxha.

Arrestimi i Dejan Pantiq, ish-zyrtar policor serb, ka bërë që veriu i Kosovës të bllokohet nga barrikadat që nga 10 dhjetori i 2022-ës.

Për largimin e tyre janë deklaruar edhe krerët e shtetit e diçka e tillë është kërkuar edhe prej ndërkombëtarëve.

Kryeministri i Kosovës ka thënë më 11 dhjetor 2022 se janë në koordinim me KFOR për të vepruar në këtë drejtim.

KFOR po kërkon pak kohë që shpejtë ta kryej këtë punë ne po presim. Nëse pritja jonë për KFOR-in është zbutje le të quhet zbutje por për të mirën e përgjithshme jemi t`u e zgjedh rrugën më të mirë të mundshme” – ishte shprehur Kurti.

Mirëpo, deri më tani KFOR nuk ka dhënë përgjigje për të treguar edhe sa kohë i duhet për të intervenuar në largimin e barrikadave.

Përderisa Kurti edhe një deklaratë edhe për median britanike “The Guardian”, ku ka deklaruar se largimi i barrikadave mund të shkaktojë edhe pasoja, kështu që po duan të jenë të kujdesshëm.

Pas kësaj deklarate, në një video nga Rudarja, lideri i Listës Serbe, Goran Rakiq, përmes një porosie që ia ka dërguar Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti i ka numëruar edhe kushtet për largimin e barrikadave në veri.

Rakiq ka thënë se këto kushte përfshijnë lirimi e të gjithë serbëve të arrestuar, tërheqjen e të gjitha njësive nga veriu i Kosovës dhe ‘heqjen e të gjitha listave dhe listave sekrete për vrasjen e serbëve’.