Flamuri i SHBA-së, Foto: Pixabay

SHBA-ja i kërkon Izraelit hetim të shpejtë për vrasjen e punëtorëve të bamirësisë

Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Izraelit ta kryejë një hetim të shpejtë për sulmin nga i cili u vranë shtatë njerëz që punonin për grupin e bamirësisë, Kuzhina Qendrore Botërore në Gazë, tha të mërkurën Departamenti amerikan i Shtetit (DASH).

Izraeli duhet të ndërmarrë masa më të mira për mbrojtjen e punëtorëve të bamirësisë dhe të të gjithë civilëve, tha për gazetarë zëdhënësi i DASH-it, Matthew Miller.

“Nuk ka rëndësi se si gabuan ata. Në fund të fundit, kanë vdekur shtatë punëtorë të bamirësisë, të cilët po përpiqeshin të dërgonin ndihma humanitare. Prandaj, pavarësisht se cila është arsyeja që e shkaktoi këtë tragjedi, apo gabimi që ndodhi brenda IDF-së, është e papranueshme”, tha Miller.

Punëtorët e grupit të kuzhinierit të famshëm Jose Andres u vranë kur veturat e tyre u goditën pak pasi ishin shkarkuar 100 tonë ushqim të sjellë në Gazë përmes detit.

Ushtria izraelite shprehu “pikëllim të thellë” për incidentin dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e cilësoi sulmin si të paqëllimshëm.

Ushtria tha se vrasja e punëtorëve do të hetohet nga një grup ekspertësh të pavarur dhe profesionalë.

Jose Andres tha për Reuters të mërkurën se sulmi izraelit që vrau punëtorët e bamirësisë u krye “në mënyrë sistematike veturë pas veture”.

Andres theksoi se grupi i tij kishte komunikime të qarta me ushtrinë izraelite, për të cilën tha se i dinte lëvizjet e punëtorëve të tij.

Vende të ndryshme, përfshirë Shtetet e Bashkuara, kanë filluar këtë muaj të dërgojnë ndihma humanitare edhe përmes detit në Gazën e rrënuar nga lufta.

Kombet e Bashkuara dhe partnerët kanë paralajmëruar se uria mund të prek pjesën e shkatërruar, të izoluar të veriut të Gazës gjatë këtij muaji./REL.