Rexhep Selimi: Hoti nuk ndihet borxhli ndaj Kuvendit, por ndoshta ndaj Thaçit

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka kritikuar kryeministrin Avdullah Hoti për mosshprehje të interesit për të raportuar në Kuvendin e Kosovës.

Selimi tha se grupi parlamentar i Vetëvendosjes kanë kërkuar që Hoti të raportojë në legjisativ para nisjes për në Washington për takimin e 27 qershorit.

“Ka shprehur gatishmëri që të diskutojë qoftë në Akademinë e Shkencave apo në zyrën e tij apo edhe në Zyrën e Presidentit, por jo në Parlamentin e Kosovës, të cilit nuk i ndihet borxhli. Prandaj sot në kryesi, në emër të grutpit tonë parlamentar e ngritën si çështje që ai duhet të vijë këtu në këtë institucion të raportojë për atë çfarë po proklamon që është i gatshëm ta bëjë siç është udhëtimi i tij më 27, ku do të flitet për Kosovën”, tha ai.

Selimi, Hotin e quajti kryeministër ilegal dhe ilegjitim.

“Ai ndoshta nuk e ndjen veten borxhli as ndaj qytetarëve, as ndaj parlamentit. Ai ndoshta e ndien veten borxhli vetëm ndaj presidentit, LDK-së, AAK-së Nismës e Sprpskas, por përderisa flet për Kosovën atje duhet ta ndiej vetën borxhli dhe t’i raportojë Kuvendit i cili është organ që i përfaqëson qytetarët e Kosovës”, theksoi ai para mediave.

Selimi tha se edhe nëse Hoti nuk pranon të raportojë në Kuvendit, do të mbledhin nënshkrime për ta sjell aty “me apo pa dashje”.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani pas mbledhjes së Kryesisë tha se kanë vendosur që kryeministrin Avdyullah Hotin ta ftojnë për raportim, përpara nisjes për në Washington, më 27 qershor lidhur me dialogun.

Osmani në një konferencë për media tha se kryeministri do të ftohet që të debatojë dhe raportojë para deputetëve lidhur me qëndrimet që do t’i mbajë Republika e Kosovës atje.

“Me vendim unanim të anëtarëve present të kryesisë, unë do t’i drejtohem kryeministrit të vendit në mënyrë që ai t’i raportojë Kuvendit para se të niset për Washington, për takimin e datës 27, duke pasur parasysh rëndësinë e çështjes së dialogut dhe rolin mbikqyrës që duhet ta luaj Kuvendi dhe po ashtu detyrimin qe e ka qeveria që t’i raportojë Kuvendit për çështje të politikës së jashtme”, theksoi ajo.

Me ndërmjetësim të të emëruarit të Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, të dyja palët do të mbajnë një takim në SHBA më 27 qershor për të folur lidhur me procesin e negociatave.