Përleshja fizike në Kuvendin e Kosovës, 13 korrik 2023 Pamjet: Kuvendi i Kosovës

“Seanca e grushteve” në Kushtetuese, dilema nëse shkeljet i trajton Gjykata

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimet e marra në ditën e Seancës Plenare kur në Kuvend pati përleshje. Sipas tyre shkeljet i ka bërë Kryeparlamentari, Glauk Konjufca. Ndërsa ata që përcjellin drejtësinë, kanë dyshime nëse bëhet fjalë për shkelje të Kushtetutës në këtë rast.

Përveç grushteve, seanca e 13 korrikut rezultoi edhe me një sërë ligjesh të miratuara në lexim të dytë.

Por ligjshmërinë e seancës, e ka kontestuar Partia Demokratike e Kosovës, rrjedhimisht duke kërkuar edhe anulimin e vendimeve të dala nga ajo.

Partia opozitare, thonë se ka pasur shkelje të Kushtetutës nga kryetari i Kuvendit, sikur edhe të Rregullores së këtij institucioni.

Përderisa pajtohen se shkelje të Rregullores ka pasur, Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka dilema për pjesën e dytë.

“Çështjet të cilat janë pjesë e rregullores për të cilat shkelje i kemi identifikuar ne, kanë të bëjnë me shkelje të rregullores së Kuvendit që nuk minimizohet rëndësia e tyre mirëpo në vetvete nuk paraqesin çështje kushtetuese dhe për këtë arsye edhe duke u bazuar në praktikën e Gjykatës Kushtetuese, kjo gjykatë nuk i trajton si të ndara çështjet e punës nëse nuk ndërlidhën me një çështje kushtetuese”, ka thënë Shala.

Sipas Shalës iniciuesit, në këtë rast Grupi Parlamentar i PDK-së duhet të ia argumentoj Gjykatës se aty ka pasur shkelje kushtetuese.

“Për ta futur në merita të rastit, PDK duhet ta dëshmoj në Gjykatën  Kushtetuese sepse në rastin konkret nuk kemi të bëj vetëm me nene të rregullores së Kuvendit mirëpo kemi të bëjë me çështje kushtetuese në të cilat mund të hyjë dhe ta trajtoj rastin edhe Gjykata Kushtetuese”, ka shtuar Shala.

Megjithatë, pretendimet e tyre të ngritura para kushtetueses për vlerësim, i argumenton avokati i Partisë Demokratike të Kosovës, Faton Fetahu, që insiston se ka edhe shkelje kushtetuese.

“Fakti që neni 76 i Kushtetutës së Kosovës e përcakton rregulloren e Kuvendit si një akt i nivelit kushtetues madje është akti nënligjor i vetëm që e përcakton kushtetuta dhe si e tillë duke e trajtuar në nivel të kategorisë kushtetuese, Kushtetuta i ka dhënë rëndësi të posaçme kësaj rregullore dhe mundësisë që e njëjta që interpretohet sa herë që mund të jetë objekt I parashtrimeve që bëhen nga palët e autorizuara në Gjykatën Kushtetuese dhe duke u shkelur kjo rregullore pra duke u shkelë një normë kushtetuese dhe në këtë mënyrë besojmë që gjykata do ta pranoj për vlerësim në mënyrë të pranushmërisë”, ka thënë Fetahu.

Sipas PDK-së, Kryetari i Kuvendit, ka bërë shkelje kushtetuese në dy drejtime, në mospërmbushjen e afatit për thirrjen dhe caktimin e seancës plenare dhe, duke mos e vendosur për miratim rendin e ditës të asaj seance./Dukagjini