Flamuri i Ukrainës - Foto: Faqja zyrtare e Presidencës ukrainase

Së paku 21 civilë të vrarë në Sumi të Ukrainës

Së paku 21 civilë, përfshirë dy fëmijë, u vranë nga një sulm ajror i ushtrisë ruse në qytetin verilindor të Ukrainës, Sumi, tha sot Zyra e prokurorit rajonal.

Sulmi ndodhi të hënën vonë në një lagje të banuar.

Trupat e viktimave u gjetën nga shërbimet e urgjencës herët të martën, tha Zyra e prokurorit.

Autoritetet ruse dhe ukrainase u pajtuan sot për hapjen e disa korridoreve humanitare, që do të mundësojnë evakuimin e civilëve.

Një korridor i tillë u hap edhe në qytetin Sumi, i cili ndodhet rreth 350 kilometra në lindje të kryeqytetit të Ukrainës, Kiev.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyi, shpalli gjendje lufte në vend.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.

Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uverturë për pushtim të plotë.

Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën – gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.

Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO – gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial – dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes./REL