Shkolla "Mihal Grameno" në Fushë-Kosovë. Foto: Kallxo.com

SBAShK kundër mësimit tërëditor në shkolla

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, ka reaguar ndaj Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë rreth idesë për realizimin e mësimit tërëditor në shkollat e Kosovës.

SBAShK përmes një komunikate për media tha se për realizimin e kësaj duhen plotësuar shumë kushte e kërkesa.

“Për mësimin tërëditor duhet shikuar praktikat në vendet e Evropës  dhe do të shihet se nuk janë mësimdhënësit e njëjtë ata që angazhohen në mësimin tërëditor, por janë kuadro shtesë.  Po ashtu ky mësim nuk është obligativ për të gjithë nxënësit, por në shkollat e Evropës, që kanë krijuar gjithë kushtet e duhura, nxënësit shkojnë në mësimin tërëditor sipas nevojave dhe prirjeve të tyre. Poashtu, në ato shkolla janë krijuar edhe kushtet shtesë e që janë kuzhinat shkollore dhe ambiente mësimi e rekreacioni. Këto nuk i ka ende as edhe një shkollë në Kosovë”, thuhet në reagimin e tyre,

Tutje sindikata thotë se MASHT poashtu, duhet të di se para pak viteve ishte provuar me një eksperiment të tillë në disa shkolla të Prishtinës, por kjo u ndërpre në mënyrë të heshtur pasi ishin krijuar shumë pakënaqësi e revolta te prindërit dhe nxënësit.

“Ideja për mësimin tërëditor mbase mund të realizohet në të ardhmen në  institucionet e Arsimit Parauniversitar të Kosovës atëherë kur krijohen kushte e ambiente të mjaftueshme për punë e veprimtari mësimore e rekreative, kur të sigurohen kuzhina dhe kur të sigurohet buxhet i mjaftuar për rekrutimin e kuadrove të reja që do të ndihmonin në realizimin e mësimit tërëditor. Derisa nuk ndodhë kjo, SBASHK-u ishte dhe mbetet kundër idesë së MASHT-it lidhur më mësimin tërëditorë”, thotë SBAShK.