Sali Berisha - Foto: Facebook/SaliBerisha

Sali Berisha: Pas Mlladiqit, radhën e ka Vuçiqi

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, e ka quajtur fitore të drejtësisë, vendimin për konfirmimin e dënimit me burgim të përjetshëm të ish-komandantit të serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiq.

Berisha në një publikim në Facebook ka shkruar se pas Mlladiqit radhën e ka presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Fitore e drejtësisë! Pas xhelatit te Srebenicës radhën e ka idhtari i tij i verbër Vuçiç, i cili deklaronte se për çdo serb të vrarë do vriten 100 muslimanë. Vuçic për të fshehur idhullin e tij xhelat dhe penguar drejtësinë mori nismën “një shtëpi për Mlladon”. Në  foto është duke vendosur emrin Mlladiç një rruge në Beograd. Sb”, ka shkruar Berisha.

Gjykata e Kombeve të Bashkuara në Hagë e ka konfirmuar dënimin me burgim të përjetshëm ndaj ish-komandantit të serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiqit.

Ratko Mlladiq, ish-komandanti i Shtabit Kryesor të Ushtrisë së Republikës Srpska nga 12 maj 1992 deri të paktën më 8 nëntor 1996, u dënua për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve ose zakoneve të luftës dhe u dënua me burgim të përjetshëm.

Konfirmohet dënimi me burgim të përjetshëm ndaj Ratko Mlladiqit