Sa pasuri krijuan Drejtorët e ATK-së?

2019-ta ishte viti ku disa nga drejtorët e Administratës Tatimore të Kosovës u pasuruan e disa të tjerë u varfëruan.

Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Ilir Murtezaj nuk pati ndonjë ndryshim të madh në pasurinë e tij krahasuar me vitin e kaluar.

Pasuria e kreut të ATK-së i tejkalon 350 mijë euro dhe në të përfshihen një shtëpi, dy toka, një banesë, një veturë dhe letra me vlerë.

Për dallim nga viti 2019, Ilir Murtezaj ka deklaruar se në vitin 2020 ka arritur që të ulë borxhin ndaj bankës nga 25 mijë në 17 mijë euro ndërsa borxhin prej 17 mijë euro të cilin ia ka një personi fizik nuk e ka ulur fare.

Përpos pagesës së borxhit në bankë, i pari i ATK-së, ka arritur që të kursejë edhe 2500 euro.

Viti 2020 siç duket nuk ka qenë vit i suksesshëm për Drejtorin Rajonal të ATK-së, Isen Lipovica, pasuria e të cilit është zvogëluar për rreth 60 mijë euro.

Ndonëse ka përbërje të njëjtë me atë të vitit paraprak, Isen Lipovica ua ka ulur vlerën pronave të tij.

Shtëpia të cilën më parë e kishte vlerësuar në vlerë 50 mijë euro këtë vit ka vlerësuar  45 mijë euro ndërsa toka bujqësore e cila gjatë deklarimit paraprak vlerësohej 280 mijë euro këtë vit ka rënë në 250 mijë euro.

Rënie në vlerë kanë pësuar edhe lokali afarist, oborri, pemishtja dhe objekti ndihmës i tij.

Përpos pasurisë së paluajtshme, Lipovica ka deklaruar dallime edhe në pasurinë e luajtshme, ai ka deklaruar se ka një veturë më pak për dallim nga viti paraprak.

Drejtori Lipovica për një vit arriti që të kursejë rreth gjashtë mijë euro.

Sikurese një vit më parë edhe këtë vit drejtori i ATK-së, në Prishtinë deklaroi lidhjet me biznese. Në deklarimin e pasurisë së tij shfaqen lidhjet me bizneset KAF Group LLC, Mercom Company dhe NTP Bavaria në të cilat punojnë fëmijët e tij.

Rënie më të madhe në pasuri ka pasur edhe drejtori Bashkim Shala.

Ndonëse bleu një shtëpi, pasuria e Drejtorit Shala pësoi rënie. Të paktën kështu ka deklaruar vet Shala në Agjensinë Kundër Korrupsion në të cilën një vit më parë kishte deklaruar se ka pasuri në vlerë mbi 1.5 milion euro, ndërsa këtë vit ka deklaruar se vlera e pasurisë së tij është ulur për 81 mijë euro.

Përpos rënies së vlerës së pasurisë, Shala gjatë 2019-tës hyri edhe në borxh për 37 mijë euro ndonëse një vit më parë kishte deklaruar se nuk i ka borxh askujt.

Në pasurinë e përbashkët të drejtorit të ATK-së figurojnë katër banesa, tre shtëpi, një truall, një tokë dhe një lokal afarist.

Pak më mirë se vitin e kaluar doli Drejtori Rajonal i ATK-së, Alban Qerimi.

Drejtorit Qerimi për një vit paratë e gatshme i janë pakuar ndërsa ka arritur që të ulë borxhin nga 54 mijë euro në 51 mijë euro, duke paguar kështu 3 mijë euro borxhe.

Alban Qerimi një vit më parë kishte deklaruar se ka 9 mijë euro para të gatshme në banka kurese këtë vit deklaroi se ka rreth katër mijë euro më pak.

Pasuria e drejtorit Qerimi ka vlerë rreth 242 mijë euro dhe në të përfshihen një banesë, tre pllace dhe një makinë.

Sikurse shumë drejtorë të tjerë rënie në pasuri pati edhe Zëvendësdrejtori i përgjithshëm, Hamit Mulaj i cili edhe pse bleu veturë të re gjatë vitit 2019, pasuria e tij pësoi renie për 5 mijë euro.

Vetura e re në vlerë 27 mijë euro nuk e shtoi pasurinë e Mulajt mirëpo e zvogëloi atë për 5 mijë euro.

Ndonëse përbërja e pasurisë së tij nuk ndryshoi përpos veturës së re, Mulaj gjatë vitit 2019 hyri në borxhe të mëdha.

Plot 26 mijë euro është borxhi i krijuar gjatë vitit 2019 për Mulajn.

Ai ka deklaruar se ka pasuri në vlerë 569 mijë euro në të cilën hyjnë një shtëpi, një banesë, tre ara dhe dy male si dhe vetura Tiguan e cila sipas Mulajt është blerë pas shitjes së veturës së vjetër dhe me kredi.

Në mars të këtij viti, KALLXO.com  shfaqi lidhjet e Drejtorit Hamit Mulaj me dy biznese, “Pfleiderer novoterm Kosovë i cili u shua pas raportimit të KALLXO.com dhe Termo-Trade.

Rritje në pasuri pati drejtori i ATK-së në Prizren, Ibrahim Çoçaj. Këtë vit drejtori i ATK-së në Prizren doli 1800 euro më i pasur. Dallimi i vetëm në pasurinë e drejtorit Çoçaj është vetura e re të cilën e ka blerë gjatë vitit 2020.

Për  ta blerë këtë veturë, Drejtori Çoçaj thotë se ka shitur veturën paraprake.

Një vit më parë ai kishte deklaruar se ka 26 mijë e 500 euro para të gatshme në bankë ndërsa këtë vit ai deklaroi se ka 26 mijë euro.

Pasuria e tij përbëhet prej dy shtëpive, katër tokave, një lokali, një trualli, një veture dhe një mjeti të punës.

Edhe këtë vit sikurse në vitin e kaluar Drejtori Çoçaj deklaroi se ka lidhje me një biznës. Ai është ligjërues në universitetin AAB.

Edhe Zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të ATK-së, Nahit Sharku i është rritur pasuria.

Sharku ka deklaruar një banesë më shumë në deklarimin e fundit të pasurisë. Këtë banesë ka deklaruar se e ka blerë gjatë vitit 2019 dhe vlera e saj së bashku me garazh është 56 mijë euro.

Pasuria e drejtorit Sharku është rreth 200 mijë euro dhe në të përfshihen një shtëpi, një tokë, një truall dhe një banesë me garazh.

Drejtorit përpos pasurisë i është rritur edhe borxhi, ndonëse një vit më parë nuk kishte borxh, këtë vit drejtori Sharku ka deklaruar se ka borxh 25 mijë e 600 euro ndaj kompanisë ORIENT KUBZ për blerjen e baneses.

Ndërkaq listës së drejtorëve që deklarojnë pasuri ketë vit iu shtua edhe Zëvendësdrejtori i ri i ATK-së, Nijazi Asllani.

Asllani ka deklaruar se vlera e pasurisë së tij është rreth gjysmë milioni euro.

Ai ka deklaruar se ka tre banesa në vlerë 204 mijë euro, një shtëpi në vlerë 227 mijë euro, dy vetura në vlerë 44 mijë euro si dhe rreth 10 mijë euro para të gatshme në bankë.

Përpos pasurisë, Drejtori Asllani ka deklaruar se ka borxh rreth 155 mijë euro për blerjen e shtëpisë dhe veturës.

Ajo çka bie në sy në deklarimin e pasurisë së drejtorit Jeton Mushkolaj është caktimi i vlerës zero për shtëpinë dhe tokën të cilën një vit më parë e vlerësonte 250 mijë euro.

Përpos shtëpisë dhe tokës Drejtori Mushkolaj ka edhe një banesë vlera e të cilës është 25 mijë euro.

Mushkolaj gjatë këtij viti arriti që përpos rritjes së parave në bankë ta rrisë edhe borxhin.

Ai këtë vit deklaroi se ka rreth 10 mijë euro para të gatshme apo 8 mijë më shumë se sa në vitin e kaluar ndërsa borxhi iu rrit për 1500 euro, nga 18 mijë në 19 mijë e 500 euro.

Drejtori Mushkolaj gjatë vitit 2019 u bë edhe me biznes. Ai nga 2019-ta  ka 50% të aksioneve në biznesin ARSA Pharm SHPK.

Për dallim nga drejtorët e tjerë, Drejtori Rajonal Besim Halili nuk pati ndonjë ndryshim në pasuri.

Deklarimi i tij ishte pothuajse identik me atë paraprak përveç makinës e cila nuk figuron në vitin 2020.

Halili ka deklaruar se ka pasuri në vlerë 129 mijë euro në të cilën përfshihen një shtëpi, një tokë dhe një truall.  2019-ta vetëm se i uli paksa borxhin nga 13 mijë e 200 euro në 10 mijë e 560 euro.

Pak dallime në pasuri deklaroi edhe Drejtori i ATK-së në Prishtinë, Xhemajl Hertica. Hertica gjatë një viti arriti që të zbresë borxhin nga 8 mijë në 2.600 euro.

Pasuria e Drejtorit Hertica vlerësohet mbi 400 mijë euro dhe në të përfshihen një shtëpi, një mal, një tokë, një veturë dhe një traktor.

Këtë vit Hertica deklaroi edhe lidhje me biznes. Njëri nga fëmijët e tij është i angazhuar si praktikant në kompaninë Humolli S Petroll.

Dallime në pasuri nuk pati as Drejtori i ATK-së në Pejë, Lazer Ramaja.

Sikurse një vit më parë, Ramaja ka deklaruar se ka pasuri në vlerë 666 mijë euro ku përfshihen tokë, shtëpi, shtalla, tre vetura si dhe mjete të punës.

Risia e vetme në pasurinë e Drejtorit Ramaja janë tre veturat e tipit Mercedes Benz të blera gjatë vitit 2019, vlera e të cilave ka deklaruar se është 9 mijë e 500 euro.

Dy prej tyre janë blerë pas shitjes së veturave praprake ndërsa tjerat me anë të kursimeve.

Këtë vit, drejtori Ramaja shfaqi edhe lidhje me biznese. Fëmijët e tij punojnë në bizneset D.C.A, Neptun Kosova.

Përpos parave të gatshme të cilat ju shtuan, pjesa tjetër e pasurisë mbeti e pa ndryshuar edhe për Drejtorin e ATK-së në Mitrovicë, Shefqet Dervishaj.

Dervishaj në vitin paraprak kishte deklaruar se ka rreth 2 mijë euro para të gatshme ndërsa këtë vit shuma e parave të gatshme u rrit për 3 mijë euro.

Pasuria e Drejtorit Dervishaj i afrohet 1 milionëshit, në të përfshihen dy shtëpi, dy toka, një banesë dhe dy vetura.

Edhe drejtori Dervishaj shfaqi lidhjet me biznese private. Ai është ligjërues në Kolegjin UBT ndërsa një fëmijë i tij është i punësuar në institucionin mikrofinanciar FINCA.

Një vit më parë, KALLXO.com kishte shfaqur lidhjet e drjetorëve të ATK-së me biznese të ndryshme në Kosovë.

Këto lidhje ishin paraqitur në deklarimet e tyre të pasurisë.

Lidhjet e drejtoreve të ATK-së me bizneset