Sa ka gjasa për një ndërhyrje ushtarake në shtetin afrikan të Nigerit?

Sa jane mundësitë që blloku rajonal i Afrikës Perëndimore ECOWAS ta përdorë forcën për ta rivendosur demokracinë e Nigerit – kursin e tij më të vështirë të veprimit deri më tani kundër një shteti anëtar – dhe cilat janë shanset e tij për sukses? 

Shefat e mbrojtjes të Afrikës Perëndimore e kanë përfunduar një takim në kryeqytetin e Nigerisë Abuja të enjten, ku diskutuan mundësinë e ndërhyrjes ushtarake nëse përpjekjet diplomatike dështojnë për ta rivendosur presidentin e rrëzuar të Nigerit, Mohamed Bazoum.

Komuniteti Ekonomik i Shteteve të Afrikës Perëndimore, blloku rajonal i njohur si ECOWAS, kërcënoi me përdorimin e forcës nëse udhëheqësit e grushtshtetit nuk e rikthejnë Bazoumin në pushtet deri të dielën.

Sa gjasa ka ECOWAS që të dërgojë trupa në Niger?

“Mundësia e një ndërhyrjeje të madhe është shumë, shumë e lartë”, thotë analisti gjeopolitik Ovigëe Eguegu, “sepse ka kaq shumë faktorë që flasin për këtë”.

Shtetet e Bashkuara do ta mbështesin këtë ndërhyrje, thotë Eguegu, sepse Nigeri është një partner kritik i Sahelit në luftën kundër kryengritjes xhihadiste.

Përveç kësaj, paqëndrueshmëria e re në Niger do t’i jipte mundësinë Rusisë të ushtrojë edhe më shumë ndikim në një rajon ku një sërë grushtshtetesh kanë parë që qeveritë e udhëhequra nga ushtria t’i kthejnë shpinën Perëndimit dhe ta përqafojnë Kremlinin.

ECOWAS ka bërë përpjekje për ta frenuar një rrëshqitje demokratike në Afrikën Perëndimore dhe ishte zotuar se grushtshtetet nuk do të tolerohen më pas pushtimeve ushtarake në shtetet anëtare Mali, Burkina Faso dhe Guinea në dy vitet e fundit.

Eksperti i sigurisë me seli në Mali, Fahiraman Kone, beson se ndërhyrja ushtarake është një “mundësi” veçanërisht duke pasur parasysh dëshirën e presidentit të ri të Nigerisë, Bola Tinubu, për ta rimarrë pozicionin e Nigerisë si një udhëheqës rajonal.

Tinubu, i cili u zgjodh kryetar i ECOWAS më pak se një muaj më parë, “dëshiron të riafirmojë udhëheqjen e Nigerisë [dhe forcën e saj] ushtarake, financiare dhe diplomatike në rajon,” tholtë Kone, menaxher i projektit Sahel në Institutin për Studime të Sigurisë, një institut afrikan.

Duke folur të dielën në një takim urgjent të ECOWAS-it, Tinubu tha: “Ne do të qëndrojmë me popullin tonë në liri dhe përkushtimin tonë ndaj shtetit të së drejtës dhe jo tytës së armës. Afrika është rritur”.

A ka vepruar ECOëAS ndaj kërcënimeve të saj më parë?

Blloku 15 anëtarësh i ECOWAS ka bërë kërcënime të ngjashme më parë dhe i ka zbatuar ato. Së fundmi, ECOWAS dërgoi trupa në vitin 2017 në Gambia kur sundimtari afatgjatë Yahya Jammeh refuzoi të dorëhiqej pas humbjes së zgjedhjeve.

Pasi rreth 7,000 anëtarë të një force shumëkombëshe të mbështetur nga ECOWAS, të udhëhequr nga Senegali, u grumbulluan në kufirin me Gambinë, Jammeh ra shpejt dakord për një marrëveshje për të dhënë dorëheqjen dhe për të shkuar në mërgim.

Rreth 2,500 trupa të përbërë nga forca nga Senegali, Gana, Mali, Togo dhe Nigeria janë ende të përfshirë në operacionet e mbështetjes së paqes në këtë vend.

ECOWAS gjithashtu ka një forcë stabilizuese në Guinea-Bissau, ku ka ridislokuar rreth 600 trupa nga Nigeria, Senegali, Bregu i Fildishtë dhe Gana pas një tentative për grushtshtet në shkurt të vitit 2022.

Në të kaluarën, blloku rajonal krijoi misionin paqeruajtës ECOMOG për të ndihmuar në rivendosjen e rendit në Liberi dhe Sierra Leone dhe gjithashtu vendosi forca në Bregun e Fildishtë në vitin 2003.

Çfarë trupash ka në dispozicion ECOWAS?

Një ndërhyrje në Niger do të mbështetej shumë tek Nigeria, e cila ka 223,000 anëtarë personeli, si dhe avionë luftarakë modernë dhe helikopterë të armatosur.

Jo vetëm që Nigeria ka ushtrinë më të madhe në rajon, ekspertët thonë se ka kuptim logjistik të mbështetemi te Nigeria, e cila ndan një kufi prej 1600 kilometra të gjatë me Nigerin.

Autoritet e Senegalit thanë të enjten se ky vend do të merrte pjesë nëse ECOWAS vendos të ndërhyjë ushtarakisht në Niger.

Ministri i Jashtëm i Senegalit, Aissata Tall Sall, u tha gazetarëve në kryeqytetin Dakar se Senegali është i detyruar t’i ndjekë vendimet e ECOWAS.

Megjithatë, disa shtete të tjera anëtare të ECOWAS deklaruan tashmë se nuk do ta mbështesin përdorimin e forcës në Niger.

“Përveç fqinjit tonë nigerian, nuk mendoj se ka një forcë tjetër [anëtare ECOWAS] sepse Mauritania nuk është dakord, Algjeria nuk pajtohet, Mali dhe Burkina nuk pajtohen gjithashtu. Dhe Benini nuk do të sulmojë [ Niger]”, tha Abdoul Moumouni Abass, ekspert në parandalimin e radikalizimit.

Megjithatë, analisti Eguegu vuri në dukje se ushtria e Nigerisë është “tejet i zënë” duke e luftuar lëvizjen militante islamike Boko Haram dhe banditët e armatosur, duke drejtuar operacione në 30 nga 36 shtetet e Nigerisë.

Kjo paraqet një sfidë të madhe për forcat nigeriane për ta mbledhur fuqinë e tyre të vërtetë për një ndërhyrje të tillë, tha ai.

Cilat janë shanset e ECOWAS për sukses?

Ndërhyrja ushtarake në Niger do të ishte krejtësisht e ndryshme nga situata në Gambi – shteti më i vogël në kontinentin afrikan – i cili ka një ushtri relativisht të dobët.

Nigeri është një vend i madh që shtrihet në zemër të Sahelit. Edhe pse është një nga vendet më të varfra në botë, trupat e tij kanë përvojë në luftimin e xhihadistëve dhe të trajnuar nga Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë 1,100 trupa të stacionuara në vend, dhe Franca, e cila ka rreth 1,500 forca atje.

“Madhësia e Nigerit, numri i madh i trupave në ushtrinë e Nigerit i vështirëson gjërat, sigurisht”, thotë historiani dhe analisti i mbrojtjes nga Fildishi, Arthur Banga.

“Por kur përgatit një plan ndërhyrjeje, e bën këtë duke pasur parasysh të gjitha këto opsione, për t’u mobilizuar në aspektin e personelit, pajisjeve”.

Pastaj është çështja e Malit dhe Burkina Fasos. Në një deklaratë të përbashkët, të dy vendet paralajmëruan se çdo ndërhyrje ushtarake kundër udhëheqësve të grushtshtetit të Nigerit do të konsiderohej një “shpallje lufte” kundër vendeve të tyre.

Të dyja vendet kanë qeveri ushtarake që erdhën në pushtet përmes grushtshteteve, dhe të dyja janë pezulluar nga organet vendimmarrëse të ECOWAS si rezultat.

E gjithë kjo do të thotë se ndërsa ndërhyrja është “shumë e mundshme”, thotë Ovigwe Eguegu, “është në të vërtetë një rrezik shumë i lartë… për të qenë një luftë e vërtetë”./DW

Përgatiti: Nuhi Shala