Rusia e lavdëron reagimin e SHBA-së ndaj rastit të raketës në Poloni

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka lavdëruar SHBA-në për reagimin e tyre ndaj rënies së një rakete në Poloni dje, raporton BBC.

Sipas BBC, derisa Peskov ishte duke folur në një konferencë ditore për shtyp, ai akuzoi Poloninë dhe “një linjë të tërë vendesh të tjera” se reaguan “histerikisht” ndaj incidentit, duke akuzuar Rusinë si përgjegjëse për të pa asnjë provë.

Në anën tjetër, Peskov vlerësoi reagimin e SHBA-së ndaj incidentit, pasi presidenti Joe Biden tha se nuk kishte gjasa që raketa të ishte ruse.

“Ia vlen të përmendet reagimi i përmbajtur dhe shumë më profesional i palës amerikane dhe presidentit amerikan”, tha Peskov.

Ministria ruse e mbrojtjes tha gjithashtu se bombardimet e saj të fundit në Ukrainë u kryen vetëm në objektiva brenda vendit dhe ishin të paktën 35 km (21 milje) nga kufiri polak.