Rugova, Thaçi, Rexhepi e Çeku në sytë e ish-sekretarit të NATO-s

Një çerekshekulli pas çlirimit të Kosovës, ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Lordi George Robertson, ka kujtuar takimet me ish- presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova, sikundër që ka folur edhe për personalitetet tjera me ndikim në Kosovën e pasluftës.

Në emisionin “KallxoPërnime”, ai ka rrëfyer se me Rugovën është takuar disa herë.

Dhe, sa herë që është takuar me të, ai thotë të ketë marrë kristale si dhuratë.

“E kam takuar disa herë [Rugovën]. Ka qenë si të thuash i pa mëkat. Përkundër faktit se përballej me forca të tmerrshme, arrinte të kishte njëfarë dinjiteti. Kjo ishte mahnitëse. Kam një kuti në shtëpi plot gurë… Ishte njeri me autoritet të qetë, përkundër gjithë atyre që kishte përjetuar. Kam takuar njerëz si Vaclav Havel i Çekisë, që kanë qenë të burgosur politikë por i kanë tejkaluar hidhërimet pa asnjë dëshirë për t’u hakmarrë. Dhe, Rugova ka qenë i tillë”- ka thënë ai.

Sipas tij, Rugova donte që shteti i tij të normalizohej dhe jo të bëhej shtet hakmarrës.

“Përkundër çdo gjëje që i kishte ndodhur atij dhe popullit të tij, ai shikonte nga e ardhmja. Kjo ishte karakteristika e tij, ai donte që shteti i tij të normalizohej dhe jo të bëhej shtet hakmarrës, jo të bëhej shtet gjakmarrës për shkak të asaj që kishte përjetuar”- është shprehur ai.

Edhe për kryeministrin e parë të Kosovës, të ndjerin Bajram Rexhepi, Robertson ka folur fjalë të mira.

“Ishte një person i këndshëm, i qetë, serioz dhe absolutisht i përkushtuar për të ndërtuar një Kosovë multietnike”, ka theksuar ai.

Robertson ka treguar edhe përshtypjet për figura tjera të skenës politike që i kishte takuar në atë kohë në Kosovë, si Hashim Thaçi, Bajram Rexhepi, Agim Çeku e të tjerë.

Thaçin ai e ka përshkruar si person me çehre të rëndë dhe si “lider i lindur”.

“Person çehre-rëndë. Lider i lindur. Me dredhi, por kjo është cilësi e politikanëve të mirë, pra të jenë me dredhi. Person që ka substancë”, ka thënë Robertson.

Ndërsa, shefin e Shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agim Çekun, e ka përshkruar si ushtar të mirë dhe “njeriun që ka bërë tranzicion nga UÇK-ja në TMK”.

“Njeri shumë i mirë, ushtar i mirë. Ai bëri tranzicion nga UÇK-ja, nga të qenit gjeneral i një ushtrie guerile në krijimin e Trupës Mbrojtëse të Kosovës, ku ai shfrytëzoi shkathtësitë dhe njohuritë e tij në mënyrë krejtësisht tjetër nga roli që kishte më herët. Prandaj, gjenerali Çeku është person të cilin e respektoj pa masë, sepse një tranzicion i tillë nuk është i lehtë por, ai e menaxhoi atë mirë”- ka thënë ai.

25 vjet më parë, më 12 qershor 1999, trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë pas një fushate ajrore 78-ditëshe kundër caqeve ushtarake e policore serbe. Me futjen e tyre në “tokën e djegur”, iu dha fund luftës së nisur në vitin 1998, mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese serbe.

Hyrja e trupave të NATO-s u bë pas Marrëveshjes së Kumanovës e cila u arrit më 09.06.1999, ndërmjet zyrtarëve serbë dhe autoriteteve të NATO-s, të udhëhequra në atë kohë nga gjenerali britanik, Mike Jackson. Me këtë marrëveshje, Serbia pranonte kapitullimin dhe detyrohej t’i tërhiqte të gjitha forcat policore dhe ushtarake nga Kosova.Lordi George Robinson ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s nga viti 1999 deri në vitin 2003. Njëherësh ka qenë edhe Sekretar i Mbrojtjes në qeverinë britanike në kohën kur kjo qeveri drejtohej nga Tony Blair.

Për “kontributin e lartë për lirinë e Kosovës”, atij i është ndarë Medaljen e artë të lirisë” nga ish- presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova.

Në vitin 2019, Robertson është dekoruar edhe nga ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, me medaljen “Skënderbeu”.