Rritja milionëshe e buxhetit të komunave - 80% shkojnë në paga

Buxheti i Komunave të Kosovës me Ligjin e ri për ndarjet buxhetore pritet të jetë mbi 82 milionë euro më i lartë se buxheti i tyre për vitin 2023.

Nga 660 milionë e 299 mijë e 801 euro sa pati buxhet i tërë nivelit lokal këtë vit, në vitin 2024 pritet që shuma e buxhetit të komunave të shkoj në 742 milionë e 915 mijë e 126 euro.

Megjithatë pjesa më e madhe e kësaj rritjeje të buxhetit të nivelit lokal pritet të shkoj në paga dhe mëditje.

Kjo kategori ka shënuar rritje prej 67 milionë e 13 mijë e 417 euro, e që i bie që mbi 80% e rritjes së buxhetit të komunave shkon në paga dhe mëditje.

Buxheti për shpenzimet kapitale të të gjitha komunave është rritur me 2 milionë e 430 mijë e 760 euro, për dallim prej rritjes nga viti 2022 në vitin 2023 që kapte shifrën prej 66 milionë e 232 mijë e 303 euro.

Rezervat e nivelit komunal pësojnë zvogëlim buxheti në vitin 2024, buxheti i ri parasheh që rezerva të prekin shifrën prej 404 mijë e 408 euro kurse për vitin 2023 rezervat ishin në vlerë prej 642 mijë euro.

Milionat e 7 komunave të mëdha në 2024 | Infografika: Granit Mavriqi/Kallxo.com

Buxheti i kryeqytetit

Buxheti në total i Prishtinës për vitin 2024 do të jetë 122 milionë e 699 mijë e 998 euro.

Nga ky buxhet, afër 40 milionë euro do të shkojnë në paga dhe mëditje, kurse mbi 45 milionë janë të parapara për investime kapitale. Mbi 7 milionë euro u rrit buxheti i kësaj komune për paga dhe mëditje krahasuar me vitin 2023.

Buxheti për investime kapitale rritet me gati 5 milionë euro, për dallim nga viti 2023 kur kjo shumë shkonte në mbi 40 milionë.

Nga 45 milionë e 350 mijë e 325 euro sa janë të parapara për investimet kapitale në Prishtinë, 15 milionë e 704 mijë janë buxhet i ri, tjerat janë vazhdim nga viti 2023. Kjo Komunë gjatë vitit 2023 shpenzoi 8 milionë e 981 mijë e 134 euro për investime kapitale.

Projekti që kushton më së shumti në buxhetin e Prishtinës është “Rruga A, kolektori dhe rruga” që me të hyrat vetanake dhe grantin qeveritar prek shifrën prej 6.5 milionë euro, të gjitha të vazhduara nga viti 2023 dhe jo si buxhet i ri.

Ky projekt edhe në projektligjin për ndarjet buxhetore të vitit 2023 kishte buxhetin e vazhduar nga viti 2022, buxhet i atij viti ishte 4 milionë euro.

Ferizaj

Buxheti i Ferizajt për vitin 2024 do jetë 41 milionë e 184 mijë e 14 euro, duke pasur kështu rritje për rreth 2 milionë euro, krahasuar me vitin 2023.

Nga buxheti i vitit 2024, Ferizajt pritet që 20 milionë e 332 mijë e 804 euro t’i shkojnë për paga dhe mëditje, krahasuar me vitin 2023 kur për këtë kategori ishin planifikuar 16 milionë e 331 mijë e 588 euro shpenzime.

Për vitin 2024, kjo komunë ka buxhet prej 11 milionë e 337 mijë e 196 eurove për investime kapitale, kjo shumë u zvogëlua krahasuar me vitin 2023 kur kalonte shifrën prej 12 milionë eurove.

Nga buxheti i investimeve kapitale për vitin 2024, vetëm 716 mijë e 758 euro janë buxhet i ri kurse pjesa tjetër është vazhdim nga viti 2023. Ferizaj gjatë vitit 2023 shpenzoi gati 18 milionë euro në investime kapitale.

Ferizaj, projektin më të madh kapital në buxhet e ka “Ndërtimi i nënkalimit për vetura dhe këmbësorë afër stacionit policor në Ferizaj”, që planifikohet që gjatë vitit 2024 të konsumoj 2 milionë euro nga buxheti komunal. I gjithë buxheti për këtë projekt është vazhdim i vitit 2023 dhe nuk ka buxhet të ri për të.

Gjatë vitit 2023, ky projekt pati buxhet prej 2 milionë eurove, që edhe me ligjin e sivjetmë të ndarjeve buxhetore, buxheti për këtë projekt është vazhdim i vitit 2022.

Prizren

Buxheti i Komunës së Prizrenit për vitin 2024 do jetë 65 milionë e 201 mijë e 979 euro.

Prizreni në vitin 2024 do ketë rreth 7 milionë e 700 mijë euro buxhet më të lartë krahasuar me vitin 2023.

Nga buxheti i vitit 2024, mbi 24 milionë parashikohet të shkojnë në paga dhe mëditje kurse pak mbi 21 milionë euro janë planifikuar të shpenzohen për investime kapitale. Buxheti për investimet kapitale është rritur me gati 3 milionë euro krahasuar me vitin 2023.

Për investimet kapitale në Prizren, 8 milionë e 725 mijë euro janë buxhet i ri kurse pjesa tjetër prej mbi 12 milionë eurove është vazhdim nga viti 2023.

Dy projektet kapitale që konsumojnë më së shumti buxhetin e Prizrenit janë “Rregullimi i rrugëve, kanalizimit, ujësjellësit dhe ndriçimit publik në Lagjen “Dardania II”” dhe “Rehabilimi investiv i rrugëve, intervenimi në rrugët e qytetit Ortokoll, Lakuriq, te Spitali, Dardania, Bajram Curri, Jeta e re, Arbana, Zhur, Korishë etj”, me nga 800 mijë euro respektivisht.

Teksa për projektin e parë buxheti vazhdon nga viti 2023, për projektin e dytë buxheti prej 800 mijë eurove është buxhet i ri.

Projekti i parë, me ligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2023 pati buxhet të ri prej 300 mijë eurove.

Mitrovicë

28 milionë e 408 mijë e 510 është buxheti i ndarë për Komunën e Mitrovicës për vitin 2024.

Nga to, afër 16 milionë euro planifikohet të shkojnë për paga dhe mëditje kurse për investime kapitale planifikohen 6 milionë e 629 mijë e 369 euro.

Krahasuar me vitin 2023, buxheti për investime kapitale në Mitrovicë është zvogëluar për mbi 100 mijë euro.

Nga buxheti i ndarë për investime kapitale në Mitrovicë, 1 milion e 244 mijë euro do jenë buxhet i ri kurse 5 milionë e 385 mijë e 369 janë vazhdim nga viti 2023.

Projekti me më së shumti shpenzim të buxhetit për Mitrovicën gjatë vitit 2024 planifikohet të jetë “Ndërtimi i bibliotekës së Qytetit “Latif Berisha”” me buxhet prej 380 mijë eurove, buxhet ky i tëri vazhdim i vitit 2023.

Ky projekt në projektligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2023 kishte 100 mijë euro buxhet të ri.

Pejë

Buxheti i Pejës për vitin 2024 është 37 milionë e 457 mijë e 26 euro.

Nga to, mbi 18 milionë euro janë të parapara për paga dhe mëditje kurse 12 milionë e 26 mijë e 271 euro janë të parapara për investime kapitale. Buxheti i Pejës për investimet kapitale ka rënë me pak mbi 100 mijë euro, krahasuar me vitin 2023.

9 milionë e 96 mijë e 271 nga buxheti prej mbi 12 milionësh për investimet kapitale janë buxhet i ri për Pejën kurse afër 3 milionë janë vazhdim nga viti 2023.

Projekti “Ndërtimi i rrugëve ne Rekë të Allagës -Pecaj, Varri Sykut Llaz-Bellopaq, Shtupeq i Madh – Qafa e Broqit, Dukaive, Kucishte, Koshutan, Boge-Shkrel, Podi Jaku” është projekti që konsumon më së shumti buxhetin e investimeve kapitale në Pejë. Ky projekt kap shifrën prej 1.8 milionë euro dhe të gjitha janë pjesë e buxhetit të ri për vitin 2024.

Gjilan

Buxheti i Komunës së Gjilanit për vitin 2024 do të jetë 37 milionë e 189 mijë e 18 euro.

Mbi 19 milionë e 700 mijë euro janë të parapara për kategorinë paga dhe mëditje kurse mbi 8 milionë e 300 mijë euro parashihen për kategorinë e investimeve kapitale.

Buxheti i kësaj komune nga 32 milionë e 599 mijë e 281 sa ishte në vitin 2023, është rrit për rreth 4 milionë e 600 mijë euro. Shumica e të cilave(rreth 3.9 milionë) kanë shkuar tek kategoria paga dhe mëditje.

Krahasuar me vitin 2023, buxheti për investimet kapitale në Gjilan ka rënë me afro 100 mijë euro.

5 milionë e 762 mijë e 520 nga i gjithë buxheti për investime kapitale në këtë Komunë është buxhet i ri kurse 2 milionë e 602 mijë e 923 janë vazhdim nga viti 2023.

“Ndërtimi i projektit të integruar të Bulevardit të Qytetit – Gjilan” është projekti më i shtrenjtë për Gjilanin gjatë vitit 2024. Nga 1 milion euro të parapara për këtë projekt për vitin 2024, 750 mijë janë të hyra vetanake kurse 250 mijë janë grant qeveritar. I gjithë buxheti i paraparë për këtë projekt është buxhet i ri.

Gjakovë

Buxheti i Gjakovës për vitin 2024 sipas projekt-ligjit për paga është 37 milionë e 483 mijë e 964 euro, afër 6 milionë më i lartë se buxheti i vitit 2023.

Nga buxheti i vitit 2024, mbi 18 milionë euro janë të parapara të shkojnë për paga dhe mëditje kurse mbi 12 milionë e 600 mijë euro janë të parapara për investime kapitale.

Krahasuar me vitin 2023, buxheti për pagat dhe mëditje është rrit me mbi 3 milionë e 700 mijë euro kurse ai i investimeve kapitale me afër 1 milion e 200 mijë euro.

Nga buxheti i investimeve kapitale në këtë komunë, vetëm 1 milion e 337 mijë e 895 euro janë buxhet i ri kurse mbi 11 milionë e 300 mijë janë vazhdim nga viti 2023.

2.3 milionë euro të buxhetit të vitit 2024 planifikohen që Gjakova t’i derdhë në projektin “Ndërtimi i rrugës Dalja për Pejë , pjesë e Qarkorës së Qytetit”, nga to 1.3 milionë janë grant qeveritar kurse 1 milion janë të hyra vetanake. Nga i gjithë buxheti prej 2.3 milionë eurove të parapara për këtë projekt, të gjitha janë vazhdim nga viti 2023.