Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Rritet numri i të vdekurve me COVID-19, bie numri i të vaksinuarve gjatë ditës

Numri i vdekjeve me coronavirus por edhe i të infektuarve është alarmant javëve të fundit. Në katër ditët e fundit, për çdo 24 orë, janë raportuar se kanë vdekur të paktën 13 persona me COVID-19, e mbi 2 mijë të tjerë kanë rezultuar të infektuar me virusin, COVID-19.

Ndonëse Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, ditë më parë u lavdërua duke thënë se e ka “ndalë turrën e variantit Delta në Kosovë”, një gjë e tillë nuk është duke reflektuar në raportin ditor të Ministrisë së Shëndetësisë. Në vend janë duke u shënuar rekorde të të infektuarve, ndërsa kjo nuk po ndikon e të përcillet edhe me rritjen e numrit të të vaksinuarve kundër SARS-CoV-2.

Të dhënat e publikuara ditën e martë, të kësaj jave, që tregojnë për rastet e shënuara gjatë ditës së hënë, flasin se në Kosovë ishin vaksinuar 21 mijë e 719 qytetarë brenda 24 orëve, mirëpo ditëve pasuese kjo shifër shënoi rënie. Të martën, sipas raportit të ditës së mërkurë ishin vaksinuar 18 mijë e 326 qytetarë, të mërkurën sipas raportit të së enjtes del sa ishin vaksinuar 16 mijë e 862 persona, ndërsa gjatë ditës së enjëte, janë vaksinuar 15 mijë e 862 qytetar.

Datat në grafikë, janë të shkruara sipas datave të shënuara në Raportet që MSH, që publikon çdo ditë.

Në anën tjetër, qytetarët kanë raportuar në KALLXO.com se nuk po arrijnë të bëjnë termine për vaksinim në platformën e-kosova për shkak të numri të kufizuar të termineve, ndërsa sipas rregullit të Ministrisë së Shëndetësisë, asnjë qytetarë nuk mund të vaksinohet pa termin.

Sipas përllogaritjeve, në Kosovë për pesë ditë kanë vdekur 61 qytetarë. Aktualisht në Kosovë janë 25 mijë e 407 qytetarë aktiv me SARS-CoV-2.

Nga 13 marsi i vitit të kaluar kur edhe u shfaqën dy raste e para me COVID-19, në nivel vendi janë infektuar 139 mijë e 150 qytetarë, prej tyre 2 mijë e 403 kanë vdekur si dhe 111 mijë e 340 janë shëruar. Sa i përket vaksinimit nga 29 marsi, kur filloi procesi i imunizimit në vend e deri më tani, janë vaksinuar me një dozë 780 mijë e 637 qytetarë prej tyre 261 mijë e 818 janë vaksinuar komplet apo me dy doza.

Masat e reja në luftë kundër COVID-19

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, sot ka mbajtur takim online me Asociacionin e Komunave të Kosovës për të diskutuar rreth masave të reja për parandalim të virusit COVID-19.

Në këtë takim ministri ka njoftuar se mësimi shkollor do të shtyhet deri më 13 shtator, ndërsa është konfirmuar se ora policore do të rikthehet nga ora 22:00 deri në ora 05:00 të mëngjesit.

Do të rekrutohen 1,116 personel shëndetësorë dhe inspektues për të fuqizuar betejën kundër kësaj pandemie.

– Komunat në shkallë 92% sipas kërkesave të tyre janë furnizuar me barna esenciale.

– Në fillim të shtatorit do të mbërrijnë edhe 470 mijë vaksina përmes Covax.

– Deri me 13 shtator do të punohet vetëm me staf esencial nëpër institucione.

Sipas burimeve të KALLXO.com këto masa do të hynë në fuqi nga dita e hënë.

ShSKUK para kolapsit

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës në raportin e fundit ka njoftuar se 1 mijë e 139 pacientë me COVID-19 janë duke u trajtuar nëpër klinika dhe spitale rajonale, 55 prej tyre janë në gjendje të rëndë përderisa 952 janë më oksigjeno – terapi.

Në QKUK janë 392 pacientë të shtrirë, 382 prej tyre Covid-19 pozitivë, 331 me oksigjeno-terapi. Në klinikën për sëmundje ngjitëse apo në Infektivë janë 116 pacientë të shtrirë, në Mjekësin Sportive janë 89 pacientë, në Interno 70, Mjekimi Intensiv Qendror ka 14 pacientë, klinika e Pulmologjisë ka 65 pacientë.

10 fëmijë janë duke u trajtuar në Pediatri ndërsa 28 gra shtatzëna të infektuara me SARS-CoV-2 po trajtohen në Gjinekologji.

Në anën tjetër në spitalet e përgjithshme po trajtohen 747 pacientë, 669 prej tyre Covid-19 pozitivë, 621 me oksigjeno-terapi.

Në Spitalin e Prizrenit po trajtohen 159 pacientë, në Spitali i Gjakovës, 130 pacientë, Spitali i Pejës po trajton 178 pacientë, në Spitalin e Gjilanit, 138 pacientë, Spitali i Mitrovicës, 42 pacientë ai i Vushtrrisë, 22 pacientë si dhe në Ferizaj janë 78 pacientë.