Rritet niveli i kontrollit në pikat kufitare me Serbinë pas arrestimit të tre policëve

Qeveria e Kosovës tha se “pas rrëmbimit të tre policëve të Kosovës nga forcat serbe”, institucionet kanë rritur nivelin e sigurisë për automjetet që hynë nga territori i Serbisë në Republikën e Kosovës.

Lajmin për Radion Evropa e Lirë e konfirmoi zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, i cili tha se pas ngjarjes që ndodhi të mërkurën në vijën kufitare me Serbinë, institucionet e Kosovës kanë vendosur që të rrisin nivelin e kontrolleve kufitare.

“Për arsye të sigurisë, institucionet kanë vendosur që të rrisin nivelin e kontrolleve kufitare”, tha Kryeziu.

Ngjarja, sipas Policisë së Kosovës ka ndodhur mesditën e së mërkurës, kur zyrtarët policorë dyshohet se janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës.

Vendi Tresave/Bare gjendet në komunën e Leposaviqit, brenda territorit të Kosovës.

Në Beograd, zyrtarët thanë se ata janë arrestuar nga njësitet anti-terror të xhandarmërisë serbe brenda territorit të Serbisë, në komunën e Rashkës.

Krerët shtetërorë në Kosovë e kanë dënuar këtë veprim, të cilin e kanë cilësuar si “akt agresioni”, duke kërkuar nga faktori ndërkombëtar që të dënojë Serbinë dhe zyrtarët policorë të lirohen menjëherë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se policia serbe arrestoi tre policë të Kosovës 1.8 kilometra larg kufirit.

“Këta njerëz nuk kanë çfarë të kërkojnë në zonën Tresava-Batnjik pa miratimin e KFOR-it, sidomos me tyta të gjata”, tha Vuçiq në Radio televizionin e Serbisë (RTS).

Kjo ngjarje po ndodh në kohën kur tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë rritur.

Tensionet nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet janë lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët./REL.

(Shënim: Lajmi është edituar, pasi në konferencën e së entjes – 15.06.2023, Kryeministri Albin Kurti dhe ministri Xheleal Sveçla kanë deklaruar se nuk ka vendim për t`i ndaluar automjetet me targa të Serbisë që të futen në Kosovë, ashtu siç ka deklaruar mbrëmë për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Qeverisë Përparim Kryeziu, mirëpo aktualisht ka vetëm rritje të nivelit të sigurisë për automjetet që hynë nga territori i Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës. KOHA E EDITIMIT: 10:14 – datë:15.06.2023)