Foto: Facebook / Prishtina International Airport - Adem Jashari

Rreziku i përplasjes së dy aeroplanëve, Musliu pyet Aliun: A keni ndërmarrë diçka si ministri përgjegjëse?

Më 24 shkurt, mbi qiellin e vendit kishte ndodhur një incident mes dy aeroplanëve. Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu tha të enjten se nuk kishte ndonjë rrezik për përplasjen e tyre, por, deputetja, Ganimete Musliu kërkoi nga ministria që drejton Aliu të ndërmarrë veprime që të parandalohet ndonjë fatkeqësi.

Sipas Aliut, Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës po merret me hetimin e të gjitha detajeve.

Diskutimi nisi nga deputetja Musliu e cila iu drejtua me një pyetje parlamentare ministrit Aliu.

“Së fundmi kemi parë një situatë mjaft shqetësuese të një incidenti i cili pothuajse ka shkaktuar një katastrofë ajrore në Kosovë. Fjala është për incidentin e 24 shkurtit, ku mbi hapësirën ajrore të Kosovës dy aeroplan gati sa nuk u përplasen mes vete” – deklaroi Musiliu sot nga Kuvendi i Kosovës.

“I nderuar ministër, cili është plani i veprimit në lidhje me këtë dhe a keni ndërmarrë ju diçka si ministri përgjegjëse në lidhje me situatën  krijuar?” – pyeti Ganimete Musliu ministrin Librun Aliu.

Ministri Liburn Aliu tha se menjëherë pas incidentit ka marrë raportet dhe informacionet për rastin. Deri tani, sipas tij, janë ndërmarrë disa hapa por hetimi nuk është përfunduar ende plotësisht.

“Incidenti TCAS ka ndodhur më 24.02.2023 ndërmjet dy fluturakeve dhe në linjat, në drejtim të Kosovës dhe në drejtim të kufirit me Shqipërinë. Kjo ngjarje është raportuar me kohë/ të dy kontrollorët e përfshirë në incident janë liruar nga detyra menjëherë pas incidentit” – tha ai.

 

Sipas Aliut, nuk duhet të ketë deklarime ku thuhet se kishte rrezik, por këtë do ta konfirmojnë hetimet përfundimtare.

“Konformë hetimit do të merren edhe masat pastaj ndaj zyrtarëve përgjegjës. Pasi të kemi një raport të saktë, do të marrim edhe masat e duhura. Nuk mund të themi që ka pasur rrezik për përplasje, këtë mund ta tregoi hetimi, nuk do të ishte mirë as të thuhet sepse shumë nga zyrtarët thonë që as afër s’ka qenë një gjë e tillë, por le ta vlerësoi hetimi” – tha ai gjatë seancës në Kuvend.