Foto: REL/Shutterstock

Rreth 60 mjekë nga Kosova shprehin gatishmëri të vaksinohen në Kukës të Shqipërisë

Rreth 60 profesionistë shëndetësor nga Kosova, kanë shprehur gatishmërinë për t’u vaksinuar vullnetarisht kundër COVID-19 në Kukës të Shqipërisë.

Kështu ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë e Kosovës, e cila thotë se për këtë e ka informuar Ministrinë e Shëndetësisë të Republikës së Shqipërisë.

Sipas MSh-së, kjo listë është hartuar nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, bazuar në shprehjen e gatishmërisë së Shqipërisë për të ndihmuar në vaksinimin e një numri të profesionistëve shëndetësor nga Kosova, kryesisht nga shërbimet e vijës së parë në luftën kundër COVID-19.

“Ministri Zemaj e ka informuar homologen e tij, ministren Ogerta Manastirliu për listën e vullnetarëve për vaksinim dhe në koordinim midis autoriteteve të dy shteteve, do ta bëhet edhe aranzhimi i aspekteve logjistike dhe vaksinimi i tyre”, thuhet në komunikatë.

Ministria ka shtuar se në ndërkohë, do të pranohen edhe vullnetarë të tjerë të cilët shprehin interesim për vaksinim brenda numrit të ofruar të dozave për profesionistët nga Kosova, derisa procesi të fillojë edhe në Kosovë.

KALLXO.com ka raportuar , se mjekët nga Kosova të cilët janë në vijë të frontit me pandeminë në kuadër të shërbimeve, ende nuk kanë nisur vaksinimin kundër COVID-19 në Shqipëri.

Ditë më parë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se mjekët e Kosovës do të vaksinohen në Kukës.

Fillimisht, Rama kishte premtuar se në Kosovë do të dërgojë një dozë të vaksinave në Kosovë, por më pas kishte thënë se mantelbardhët e Kosovës do të duhet të shkojnë në Shqipëri për të marrë vaksinat.

Kosova është i vetmi vend në rajon që ende nuk ka siguruar vaksinën kundër COVID-19, ndërsa Qeveria në detyrë ka premtuar se vaksinat do të vijnë brenda javësh.

“Lëmshi” për vaksinimin e mjekëve kosovarë në Shqipëri