Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Rreth 5 mijë kandidatë do të verifikohen për zgjedhjet lokale

Verifikimi i kandidatëve për kryetar të komunave dhe kuvendeve komunale do të përfundoj me 1 shtator, rreth 6 javë para ditës së zgjedhjeve.

Verifikimi do të bëhet për të gjithë kandidatët e 94 subjekteve politike që kanë aplikuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Zëdhënësi i Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi në një përgjigje për KALLXO.com ka treguar se janë 4 mijë e 922 kandidatë ndaj të cilëve do të kryhet procesi i verifikimit.

‘’Numri i përgjithshëm i kandidatëve që përfaqësojnë këto subjekte politike është 4 mijë e 922 kandidatë, prej të cilëve 165 kandidatë për Kryetar Komune dhe 4 mijë e 757 për Kuvende Komunale, këto të dhëna nuk janë përfundimtare sepse këto të dhëna janë nxjerrë menjëherë pas aplikimit’’, tha Elezi për KALLXO.com.

Në krahasim me zgjedhjet lokale të 2017, numri i atyre që do t’i hyjnë garës ka rënë, si për përgjegjësitë e kryetarit të komunës ashtu edhe për ato të asamblistit.

Në 2017 garës i kishin hyrë 204 kandidatë për kryetar të komunave, ndërsa për Kuvende Komunale garës i kishin hyrë 6 mijë e 887 kandidatë.

Elezi thotë se me qëllim të verifikimit të kandidatëve që duan të certifikohen në garën për Kryetar Komune apo Kuvend Komunal, KQZ-ja do ti drejtohet disa institucioneve të ndryshme

‘’Me qëllim të verifikimit të kandidatëve që duan të certifikohen në garën për Kryetar Komune apo për Kuvende Komunale, KQZ-ja do t’i drejtohet institucioneve të ndryshme, siç janë: Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Ministria e Punëve të Brendshme, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Mbrojtjes  dhe Doganës së Kosovës”, tha zëdhënësi i KQZ-së.

Elezi tha se komunikimi me këto institucione do të jetë i përditshëm deri në certifikimin apo mos certifikimin e kandidatëve apo subjekteve.

‘’Komunikimi me këto institucione do të jetë i vazhdueshëm gjatë këtyre ditëve. Pra, sapo të përgatiten listat e ndonjë subjekti politik, të njëjtat do t’i dërgohen këtyre institucioneve. Sipas planit operacional të miratuar nga KQZ-ja, i gjithë ky proces i dërgimit të kërkesave në këto institucione për verifikim të kandidatëve do të përfundojë deri më 23 gusht, ndërsa pranimi i përgjigjeve nga këto institucione deri më 24 gusht’’ tha për KALLXO.com zëdhënësi i KQZ-së.

KQZ-ja do të marrë vendim për certifikimin ose jo të ndonjë subjekti apo kandidati, më së largu deri më 1 shtator, por po ashtu ka raste kur një kandidat apo subjekt nuk është i kënaqur me vendimin nga ana e KQZ-së , për këtë arsye ata kanë drejtë për ankesë.

‘’Në rast të mos certifikimit të ndonjë kandidati apo subjekti, pala e pakënaqur me vendimin e KQZ-së mund të paraqes ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe në Gjykatën Supreme. Të gjitha këto çështje, planifikohet të përfundojnë deri më 6 shtator. Kjo do t’i hapte rrugë KQZ-së për të organizuar tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim”, tha për fund Elezi.

Afati i fundit për tërheqjen e shortit është 8 shtator. Fushata zgjedhore do të filloj me 16 shtator dhe do të përfundoj me 15 tetor.