
Ekspozita "Mos harro", Foto: KALLXO.com
Rrëfimi i historianit Zekolli: Më 1999 një pjesë e gjimnazit në Suharekë kishte gjëra të të pagjeturve
“Mos Harro” është ekspozita e cila nxori në pah gjendjen dhe rrethanat me të cilat u përball Kosova përgjatë viteve, në rrugën për zbardhjen e fatit të 1,600 të pagjeturëve nga lufta e fundit në Kosovë.
Organizatori i kësaj ekspozite është historiani Ragip Zekolli, i cili potencoi rëndësinë dhe të “pa thënat” e Serbisë në mos pranimin e krimeve të kryera në Kosovë gjatë luftës.
Ai ka rrëfyer përjetimet e tij në kohën e luftës.
“Unë kam pas rastin me duart e mia të varros heronjtë që janë vrarë dhe ishte krenari të shihja rënien e tyre për liri, ato familje ende të qëndrojnë në sytë e mi se si prisnin të shihnin se çka do tu ofrohej atyre”- tregon Zekolli.
Ai kujton ditën e parë të fillimit të mësimit në gjimnazin “Jeta e Re” në Suharekë ku nxënësit në atë shkollë u detyruan të shfrytëzojnë vetëm gjysmën e objektit sepse pjesa e tjetër ishte e mbushur me gjëra të pagjeturve.
“1 shtatori 1999 fillimi i mësimit në gjimnazin e Suharekës, ku një pjesë e shkollës e filloi mësimin sepse salla e tjetër ishte e mbushur gjëra të lëna të të pagjeturve”- bëri të ditur Zekolli.
Tutje ai thekson “heshtjen institucionale”, e cila sipas tij nuk është marrë me tentimin për zbardhjen e fatit të 1,600 personave të zhdukur.
Ndërsa, Jahja Lluka që përfaqëson Shoqatën për Kthimin e Shqiptarëve nga Trojet e veta thotë që nuk mund të krahasohen me Hasan Prishtinën akterët e tashëm përderisa nuk veprojnë si ai, sipas tij kjo vlen për pushtetin e vendit dhe punën institucionale të tyre.
“Dua ta them që memorien e kemi shumë të cekët, i kemi harruar të gjitha ato që nuk duhet harruar, kur kjo ndodhë atëherë historia përsëritet”- potencon Lluka.
Ai pohon se Serbia e di për secilin të zhdukur se ku gjendet dhe çka ka ndodhur me të.
Ekspozita “Mos Harro”, ka filluar të hapet vitin e kaluar në komunën e Therandës, këtë vit në Prishtinë, Tiranë dhe Tetovë.
Sipas organizatorëve në bazë të marrëveshjes që po bëjnë me Brukselin, pritet që vitin e ardhshëm të ekspozohet në qendrat evropiane.