Rrahja mes familjarëve në Shtime, vdes njëri nga të lënduarit

Policia e Kosovës ka njoftuar se një person ka vdekur pasi i njëjti ishte lënduar gjatë një rrahje mes familjarëve në Shtime.

Fillimisht, rasti ishte raportuar më 19.05.2024, si dhunë në familje.

Rrahja kishte ndodhur mes tre personave, të cilët kishin kërkuar edhe tretman mjekësor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Shtime.

Njëri nga ta ishte dërguar për tretman mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

“Më datën e cekur në rastin dhunë në familje, viktima mashkull kosovar kishte pësuar lëndime trupore dhe deri më tani kishte qenë në QKUK në tretman mjekësor. Më datë 08.06.2024 nga QKUK është konfirmuar se viktima ka ndërruar jetë” – thuhet në njoftim.

Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë dërgohet në IML për obduksion, ndërsa i dyshuari mashkull kosovar – djali i viktimës është arrestuar dhe pas intervistimit është dërguar në qendrën e mbajtjes.