Seanca gjyqësore në rastin e 'Zonës Ekonomike në Mlishevë', 19.06.2024 - Foto: KALLXO.com

Rasti për ‘Zonën Ekonomike në Malishevë’, ndërpritet seanca gjyqësore

Seanca gjyqësore e së mërkurës (19.06.2024) në rastin për dyshimet për keqpërdorime për “Zonën Ekonomike të Malishevës” u ndërpre pasi nuk iu dorëzuan kopjet e fjalës përfundimtare, avokatëve të të akuzuarve.

Prokurori Naim Abazi tha se nuk mund t’i dorëzojë kopjet “për shkaqe teknike.”

“Për shkaqe të pamundësisë teknike që t’iu përgatis nga një kopje grupit të mbrojtësve, kërkoj ndjesë dhe pas leximit të saj do t’ua përcjell në e-mail”- tha ai.

Meqë kopjet e fjalës përfundimtare nuk i janë dorëzuar avokatëve të të akuzuarve, u propozua shtyrja e seancës.

Propozim për ndërprerjen e seancës e bëri avokati i të akuzuarit, Malë Krasniqi Emrush Kastrati, pasi që Prokuroria e elaboroi fjalën përfundimtare.

Ky propozim i Kastratit u përkrah nga të gjithë mbrojtësit e të akuzuarve.

Mbrojtja e të akuzuarve pretendon që prokurori gjatë fjalës përfundimtare ka cekur veprime të akuzuarve të cilat, sipas tyre nuk janë fare të cekura në aktakuzë.

Por prokurori Naim Abazi këto deklarime  i quajti “joprofesionale” .

Pas këshillimit të trupi gjykues të udhëhequr nga gjykatësi Vesel Ismaili ka aprovuar propozimin për ndërprerje të seancës.

Gjykimi prite të vazhdojë në muajin korrik 2024, me fjalët përfundimtare të avokatëve të të akuzuarve.

Paraprakisht në nisje të seancës, prokurori Abazi tha se në këtë rast është dëmtuar buxheti i shtetit, por i jejti nuk e ka cekur vlerën e saktë të dëmit.

“Është shumë e rëndësishme që gjykata t’ia falë besmin aktakuzës dhe provave që kjo prokurori i ka sjellë në këtë gjykatë sepse bëhet fjalë për vepër që e cila është shumë e dëmshme dhe ka shkaktuar pasoja të dëmshme për buxhetin e Republikës së Kosovës” – tha prokurori Naim Abazi në fjalën e tij përfundimtare para gjykatës.

Në këtë rast po akuzohen ish-kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj si dhe Pajtim Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, Nazmi Kafexholli dhe Ahmet Rrahmanaj.

Ata po akuzohen për veprën penale të keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Për këtë rast si dëshmitar ishin dëgjuar ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj në seancën e 25.07.2023.

Ndërsa dëshmi në këtë proces gjyqësor kishte dhënë edhe Abelard Tahiri në cilësinë e ish-ministrit të Drejtësisë në seancën e datës 23.11.2022.

Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë ndaj Ragip Begaj, Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, Faton Thaçi, dhe Ahmet Rrahmanaj.

Sipas dosjes së prokurorisë Ragip Begaj, Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, dhe Faton Thaçi akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Prokuroria pretendon se e kanë bërë në atë mënyrë që si persona zyrtarë kanë mundësuar shpronësimin në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik si dhe duke e shpallur këtë pjesë zonë me interes të veçantë.

Ndërsa Ahmet Rrahmanaj nga prokuroria akuzohet për shpëlarje të parave në atë mënyrë që duke ditur se këto parcela janë blerë me aktivitete kriminale i ka transferuar dhe tentuar që t’i transferojë me qëllim të shmangies nga pasojat juridike.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani atë kohe, në një mbledhje të Qeverisë kishte propozuar kolegëve në kabinetin qeveritarë një pikë e cila pritej t’i kushtojë buxhetit të Kosovës me dhjetëra miliona euro.

Ministri Hasani para kabinetit qeveritarë kishte paraqitur një kërkesë të Komunës së Malishevës për krijimin e zonës së veçantë ekonomike e cila shtrihet në tri fshatra, Banjën e Malishevës, Bellanicën dhe Senikun.

Mirëpo, ky propozim i ministrit Hasani ishte kundërshtuar pikërisht nga ish-bashkëpartiakët e dikurshëm, ministri Abelard Tahiri dhe Besim Beqaj.

Sipas Abelard Tahirit, në atë kohë, Qeveria e Kosovës nuk mund të hyjë në këso obligime pa e ditur saktë koston e projektit për shpronësim, meqë në arsyetimin e tij, ministri Hasani nuk kishte përmendur fare koston e shpronësimit.

E se për çfarë kosto bëhet fjalë, ministri Hasani i kishte thënë Gazetës Jeta në Kosovë se nuk e di këtë, pasi që sipas tij Ministria e Ambientit duhet ta bëjë vlerësimin, mirëpo për një gjë thotë se është i sigurt, që nuk do të kushtojnë shumë.

Themelimi i kësaj zone të veçantë ishte propozuar të bëhet në komunë të Malishevës që prek tri fshatra, Banjën, Bellanicën dhe fshatin Senik.

“Saktësisht nuk mundem me folë, veç është diku mbi 50 hektarë”- ishte përgjigja e  Hasanit  në atë kohë.

E për këtë investim të madh të shpronësimit të mbi 50 hektarëve tokë private, ministri Hasani kishte thënë për Gazetën Jeta në Kosovë se nuk e kishte diskutuar fare këtë temë me kryetarin e partisë së tij, Fatmir Limajn, ani pse zona ekonomike prekte edhe fshatin e tij.

Për Hasanin, nuk është problem kostoja, sepse sipas tij, kur është interesi madhor ekonomik, shteti duhet të marrë përsipër edhe koston e cila do të shërbente për punësim.

Ndërsa me të ardhë në pushtet Qeveria e re e Kosovës “Kurti”, kishte marrë vendim me të cilin e kishte anuluar vendimin paraprak të qeverisë së kaluar për themelimin e ‘Zonës ekonomike të Malishevës.’

Qeveria po ashtu kishte anuluar procedurat e shpronësimit të tokave në Banjë të Malishevës, Bellanicë e Senik.

Shkrime të tjera në lidhje me këtë rast mund t’i ndiqni në këtë – LINK