Shtatorja e 7-vjeçarit të vrarë në luftë, Leotrim Ahmetit në Skenderaj - Foto: KALLXO.com, 18.06.2024 Foto: KALLXO.com, 18.06.2024

Përgjithmonë fëmijë në vendlindjen e tij

Në 25-vjetorin e çlirimit, qytetit të Skenderajt iu shtua shtatorja e 7-vjeçarit Leotrim Ahmetit, i cili u vra nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ai do të jetë përgjithmonë fëmijë në shtatoren e vendosur në vendlindjen e tij – Skenderaj.

Leotrimin – i cili nëse do të ishte gjallë tani do të ishte 32 vjeç, e kujtoi vëllai i tij Bahriu.

“Leotrimi simbolizon gjithë fëmijët e Kosovës që kanë rënë për lirinë e Kosovës dhe ai tani më nuk është i vdekur, ai është në mesin tonë”- tha ai për KALLXO.com.

Shtatorja e 7-vjeçarit u punua nga skulptori Sabri Behramaj.

“Është shumë e rëndësishme që arrita të realizoj një detyrë dhe obligim që ia kam përcaktuar vetes”- tha Behramaj.

Në përurimin e shtatores së 7-vjeçarit, më 18.06.2024, kryetarit të Skenderajt, Fadil Nura tha se Leotrimi personifikon më së miri një pjesë të sakrificës të historisë së kaluar të vendit.

“Mesazhi im për qytetarët e Skenderajt është që të jemi sa më të bashkuar dhe të punojmë sa më shumë. Sot pikërisht në Skenderaj kemi edhe Leotrimin që personifikon një pjesë të sakrificës të historisë tonë të kaluar”- deklaroi Nura.

I pranishëm në këtë përurim ishte edhe kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza.

Ai foli për rendësinë e kësaj dite për rajonin e Drenicës duke e quajtur si “bazament mbi të cilin është fituar liria.”

Leotrim Ahmeti njëherësh është djali i dëshmorit, Malush Ahmeti, i cili ishte pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Shtatorja e 7-vjeçarit të vrarë në luftë, Leotrim Ahmetit në Skenderaj – Foto: KALLXO.com, 18.06.2024

Leotrimi vdiq më 11.09.1998 në Spitalin ushtarak në Gradicë të Drenasit, pasi u godit me granatë nga forcat serbe. Eshtrat e tij pushojnë në fshatin Gradicë. Tetë muaj pas vrasjes së Leutrimit, si luftëtar ra babai i tij Malush Ahmeti.

“Ka ra granata në oborr, djali i ka ra në bark. ‘Oj nanë edhe unë barkun e kam çky, më kanë dalë zorrët’ tha djali. Thash ‘pse djali jem?’. Veç e çoj xhemperin… E kapa djalin, më tha ‘ma nanë se po më dhamin’, anë më anë i shqyer barku, i dolën përjashtë, veç i mbuloi djali” – kishte rrëfyer momentin kur djali iu godit nga granata – Shukrie Ahmetit, nëna e Leotrimit.

Gjatë kohës së luftës në Kosovë në vitet 1998-1999 u vranë 1.133 fëmijë.

Rrëfimi i nënës pranë shtatores në Skenderaj të Leotrim Ahmetit, 7-vjeçarit të vrarë në luftë Foto: KALLXO.com, 18.06.2024

Për nder të Ditës së Çlirimit, Komuna e Skenderajt organizoi edhe disa aktivitete tjera.

Kryetari i Komunës, Fadil Nura së bashku me nënkryetarin Sami Lushtaku dhe kabinetin e tij kanë bërë homazhe tek kompleksi përkujtimor “Adem Jashari” në Prekaz dhe tek Kompleksi i Dëshmoreve në fshatin Morinë.

Duke vazhduar me pas me seancën solemne në Kuvendin Komunal, kryetari Nura u adresua me një fjalim para asamblistëve komunal dhe ndau çmimin ‘Qytetar Nderi’ për veprimtarin Bardhyl Mahmuti.

Gjithashtu, komuna organizoi Akademi Përkujtimore kushtuar dëshmoreve dhe martirëve te qytetit të Skenderajt e cila u mbajt në Qendrën e Kulturës “Hasan Prishtina”.

Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.

Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.

Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli teksa po mbahej në paraburgim.

Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.

Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.

Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit.

Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni në LINK.