Artane Rizvanolli në konferencë për media. Foto: KALLXO.com

Rizvanolli thotë se nga viti i ardhshëm fillon izolimi i kulmeve e ndërrimi i dyerve dhe dritareve

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur se nga viti i ardhshëm Qeveria do të fillojë me skema më të mëdha të efiçiencës, ku përfshihet termoizolimet, izolimet e kulmeve dhe ndërrimi i dyerve dhe dritareve.

Në një konferencë për media, Rizvanolli tha se plani është që të investohet 30 milionë euro së paku për masat e reja të efiçiencës së energjisë.

“Nga viti në vijim do të fillojmë me skema më të mëdha të efiçiencës së energjisë, që përfshijnë termoizolime, izolime të kulmeve, ndrrim të dyerve dhe dritareve, por edhe paisje efiçiente për ngrohje. Plani është që gjatë vitit të ardhshëm të investojmë 30 milionë euro së paku në efiçiencë të energjisë, përveç planeve aktuale”- tha Rizvanolli.

Ajo gjithashtu përmendi edhe zotimin e Bashkimit Evropian për ndihmë financiare për Kosovën në fushën e energjisë, si dhe premtimin e shtetit gjerman për bashkëpunim në këtë fushë.

“Siç e dini, Bashkimi Evropian ka zotuar 75 milionë euro për energjinë elektrike për vitin e ardhshëm. Si dhe, me shtetin gjerman ka premtime për fillimin e negociatave për partneritet të përbashkët në fushën e energjisë”- ka bërë të ditur Rizvanolli.

Në këtë konferencë për media, Rizvanolli ka bërë të ditur se nga sot është hapur thirrja e dytë për subvencionimin e paisjeve të energjisë efiçiente.

Ajo tha se faza e parë e thirrjes së dytë është nga sot me 18 nëntor deri më 25 nëntor, ndërsa faza e dytë nga 25 nëntor deri më 5 dhjetor.

Hapet thirrja e dytë për subvencionimin e paisjeve të energjisë efiçiente