Artane Rizvanolli në konferencë për media. Foto: KALLXO.com

Hapet thirrja e dytë për subvencionimin e paisjeve të energjisë efiçiente

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur se nga sot është hapur thirrja e dytë për subvencionimin e paisjeve të energjisë efiçiente.

Në një konferencë për media, Rizvanolli bëri të ditur se faza e parë e thirrjes së dytë është nga sot me 18 nëntor deri më 25 nëntor, ndërsa faza e dytë nga 25 nëntor deri më 5 dhjetor.

Në thirrjen e dytë përveç kritereve dhe kategorive që kanë qenë, Rizvanolli bëri të ditur edhe disa ndryshime.

“Për familjet me skema sociale është rritur subvencioni për inverterë, klimë efiçiente nga 400 euro maksimumi i vlerës, në 550 euro. Për stufat termike me biomasë dhe pompë temike, këtyre kategorive do të iu mundësohet të aplikojnë me profaturë”.

Ndërsa për nënat vetushqyese, Rizvanolli tha se për stufën me biomasë do të subvencionohen deri në 90% të vlerës investive, jo më shumë se 550 euro.

“Kemi paraparë lehtësim të peocedurave për qytetarët që nuk kanë mundësi të  montojnë paisjen për shkaqe që nuk varen nga ta, mund të fotografojnë paisjen, por me kushtin që të jetë e montuar dhe e gatshme për inspektim nga data 10 janar” – shtoi ministrja.

Ministrja Rizvanolli gjithashtu bëri të ditur se në thirrjen e parë janë shpenzuar vetëm 1 milion e 435 mijë euro, për shkak se vetëm 40% e aplikuesve i kanë plotësuar kriteret.

“Në total në thirrjen e parë kanë aplikuar 5 mijë e 992 qytetarë.Në fazën e dytë janë kualifikuar dhe kanë aplikuar 2 mijë e 377 qytetarë. Sipas Komisionit që i kanë vlerësuar, do të finalizohen 2 mijë 228 marrëveshje, me 1 milion e 435 mijë euro” – tha Rizvanolli.

Ajo bëri të ditur se janë pranuar 40 ankesa në lidhje me thirrjen e parë dhe të gjitha, sipas saj, janë adresuar.

Rizvanolli tha se është tejet me rëndësi që të respektohen afatet për thirrjen e dytë, për shkak të procedurave administrative dhe për shkak të mbylljes së vitit buxhetor.

Kriteret e plota dhe kategoritë që mund të aplikojnë për thirrjen e dytë, mund t’i gjeni KËTU