Rivalët e dikurshëm të Prishtinës arrijnë marrëveshje për rrugët e kryeqytetit

Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi dhe kryetari i Komunës Prishtinës, Shpend Ahmeti, kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi për rregullimin e infrastrukturës në Komunën e Prishtinës.

Abrashi ka bërë të ditur se këto punime janë disamujore dhe do të lehtësojnë jetën e qytetarëve.

“Është një punë disamujore e cila e merr sot formën, janë projekte të cilat lehtësojnë jetën, hyrja prej Grashticës, zgjerimi i rrugës për hyrje në Prishtinë, rruga për Podujevë. Këto sot po marrin formë”, ka thënë Abrashi.

Ndërsa, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, këtë bashkëpunim e ka konsideruar si shembull për të tjerët.

“Për herë të parë do të jetë një marrëveshje më e thelluar. Kësaj radhe na kanë konsultu edhe na kanë pyetë se ato rrugë të cilat janë në menaxhim nga Ministria. Është shembull i mirë për të tjerët, pavarësisht partive politike të cilave i përkasim”, ka thënë ai.

Arban Abrashi (LDK) ka qenë kundërkandidat i Shpend Ahmetit (LVV) në zgjedhjet e vitit 2017 për kryetar të komunës së Prishtinës. Në 2018, Shpend Ahmeti është larguar nga Vetëvendosje për t’u bërë kryetar i Partisë Social Demokrate.