Gjykata Supreme e Kosovës - Foto: KALLXO.com

Ndarja e pasurisë mes ish-bashkëshortëve, gruaja i drejtohet Supremes për punët e amvisërisë

Një rast i ndarjes së pasurisë mes bashkëshortëve që nga viti 2017, ende nuk ka arritur epilogun.

Në Gjykatën e Prishtinës të hënën u mbajt seanca e parë e rigjykimit pas rikthimit nga Apeli mes B. A. të paditur nga ish-bashkëshortja e tij N. A., lidhur me ndarjen e pasurisë në mes tyre.

Gjykata Themelore në shkurt të vitit 2021 kishte nxjerrë aktgjykim me gjyqtare të çështjes Naime Ahmeti, me të cilin kishte aprovuar pjesërisht padinë e paditëses N.A.

Në pikën III të këtij dispozitivi, gjykata kishte obliguar të paditurin që ta kompensojë paditësen për kontributin e punëve të amvisërisë në shumë mbi 20 mijë euro, të llogaritur nga 1 qershori i vitit 1996 deri në fund të dhjetorit të vitit 2017.

Lidhur  me këtë llogaritje, nuk është pajtuar paditësja N.A., e cila ka shfrytëzuar mjetin e revizionit (shqyrtim financiar), me të cilin i është drejtuar Supremes në fund të muajit maj të këtij viti.

Revizioni është mjet ankese përmes të cilit pala paraqitet në Supreme me pretendime për shkelje të aktgjykimeve të instancave më të ulëta (Themelores dhe Apelit).

Sipas këtij revizioni, Gjykata Themelore gabimisht kishte vlerësuar se kontributi paditëses sa i përket punëve të amvisërisë ka qenë deri në dhjetor të vitit 2007, dhe se nuk e ka arsyetuar pjesën me të cilën vërteton se e njëjta nuk kishte kontribuar në punët e amvisërisë.

Sipas palës paditëse, kontributi i paditëses kishte vazhduar edhe pas vitit 2007 e deri në ditën e shkurorëzimit, në tetor të vitit 2017.

Përkundër faktit paditësja kishte kërkuar nga eksperti të deklarohet përkitazi me kontributin për punët e amvisërisë edhe pas datës 31.12.2007, sipas revizionit të paraqitur, kjo nuk ishte marrë parasysh nga gjykata as në seancat e mbajtura as në parashtresën që e kishte paraqitur paditësja lidhur me këtë pjesë të aktgjykimit.

Tutje, paditësja pretendon se gjykata ka vlerësuar gabimisht edhe pjesën kur kishte vendosur për një objekt, i cili sipas paditëses nuk është objekt i kërkesë-padisë.

Në seancën e 21 dhjetorit të vitit 2020 është dëgjuar dhe ekspertja Gresa Shabani lidhur me këtë çështje.

Ajo kishe deklaruar se në ekspertizën e datës 24.10.2019 ka konstatuar të gjitha shkresat e lëndës të listuara në ekspertizë dhe për llogaritje të mëtutjeshme i ka marrë në konsideratë shkresat ose pasuritë apo investimet, kontratat të cilat kanë qenë bindëse për llogaritjen e kontributit përkatësisht pasurisë së përbashkët.

“Nga kontributi i bashkëshortëve mbi këto pasuri është ndarë proporcioni individual i secilit dhe në blerjet që janë bërë gjatë bashkësisë martesore gjithnjë bindëse për llogaritjen e pasurisë së përbashkët është marrë blerja e banesës në Shëngjin dhe një lokal afarist te “Kroi i Bardhë”, që sipas vlerësimit material arrin vlerën 99.860 euro, dhe nga ky total është zbatuar proporcioni i kontributit 44.25 % përkatësisht 55.75 % për të paditurin”, kishte deklarar ekspertja Shabani.

Sipas padisë, paditësja N. A. dhe i padituri B. A, kanë lidhur martesë në vitin 1996, në Prishtinë dhe nga ajo martesë kanë edhe dy fëmijë të moshës madhore.

Mirëpo prej vitit 2016 rrethanat në mes bashkëshortëve kanë ndryshuar, duke e bërë jetën mes tyre të pa mundur për çka edhe kanë paraqitur propozim në Gjykatën e Prishtinës për shkurorëzim.

Gjithnjë sipas padisë, paditësja ka pranuar pasuri të veçantë – trashëgimi nga babai i saj në shumën prej 60 mijë marka gjermane, të cilat i ka investuar në blerjen e një lokali në Prishtinë.

Ky lokal sipas aktpadisë është blerë në shumën prej 105,300.00 marka gjermane, nga të cilat 60,000.00 marka janë investuar nga pasuria e trashëguar nga babai i paditëses.

Tutje sipas padisë, N. A. e ka shitur një banesë të saj në Prizren, gjatë vitit 2012, në shumën prej 40,000.00 euro. Mjetet nga shitja e kësaj banese sipas padisë janë investuar nga paditësja për blerjen e një banese në Shqipëri në sipërfaqe prej 64 metra katrorë.

Padia shpjegon se si paditësja dhe i padituri gjatë jetës së tyre bashkëshortore afërsisht 20-vjeçare kanë realizuar të hyra të përbashkëta kryesisht në blerjen e parcelave, banesave, bizneseve etj.

Gjithashtu padia specifikon se si ish-bashkëshortët kanë investuar edhe në dy lokale të tjera që gjenden në Prishtinë, njëri në sipërfaqe prej 28 metra katrorë, kurse tjetri prej 25 metra katrorë e që sipas paditëses edhe kjo pasuri është krijuar në kohën kur bashkëshortët kanë kontribuar bashkërisht në krijimin e pasurisë familjare.

Në këtë çështje gjyqësore kishte pasur edhe ekspertiza financiare me të cilat nuk ishte pajtuar paditësja N. A. duke bërë edhe kundërshtimin e tyre në gjykatë.

Ky rast është rikthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit në prill të këtij viti, për të rivendosur për pikat I, III, IV dhe VI, kurse për pikën III Apeli e vërteton.

Lidhur me revizionin e paraqitur, KALLXO.com i është drejtuar me pyetje përfaqësuesit të të paditurit, avokat G.V për të dëgjuar pretendimet e palës së paditur, i cili deklaroi se pas konsultimit me klientin e tij do të vendosë nëse do të përgjigjet apo jo.

“Përfaqësimi është për seancat gjyqësore dhe jo lidhur me mediat, posa të konsultohem me të do të të përgjigjem” – deklaroi i njejti përmes telefonit.

Seanca e rigjykimit në Themelore është shtyrë deri në vendosjen e Supremes mbi revizionin  e ushtruar.

Të gjitha raportimet lidhur me këtë rast mund t’i ndiqni në këtë LINK.