Rënia e kulmit të objektit të Komunës së Prishtinës - Foto: 18.01.2024

Rënia e çatisë së Komunës së Prishtinës, ndalohen 2 persona të dyshuar

Prokuroria Prishtinës njofton se lidhur me rastin e rënies së çatisë të objektit të Komunës së Prishtinës janë ndaluar dy persona të dyshuar.

Sipas njoftimit, njëri nga ta është zyrtar i Komunës, me inicialet Y.J., ndërsa tjetri person përgjegjës i kompanisë punuese me inicialet B.B.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik lidhur me rastin e rënies së çatisë të objektit të Kadastrit të Komunës së Prishtinës, më 18.01.2024, ku si pasojë e kësaj ngjarjeje mbeti e lënduar rëndë një qytetare e Republikës së Kosovës dhe gjendja e saj shëndetësore mbetet ende kritike, si dhe në këtë ngjarje u shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale, me ç’ rast në vazhdën e veprimeve hetimore, sot me vendim të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar dy (2) persona të dyshuar në këtë rast, njëri nga ta është zyrtar i Komunës së Prishtinës me inicialet Y.J., përderisa personi tjetër i ndaluar me aktvendim të prokurorit është person përgjegjës i Kompanisë punuese për vend punishten e kompanisë në fjalë me inicialet B.B”- thuhet në njoftim.

Në komunikatë është bërë e ditur se nga ana e prokurorit të shtetit është angazhuar eksperti gjyqësor nga lëmia e ndërtimtarisë në këtë çështje penale, në të cilën po vazhdojnë të zhvillohen hetime në koordinim me institucionet relevante.

Një 23-vjeçare ka pësuar lëndime të rënda gjatë ditës së enjte pasi e kishin zënë rrënojat e një pjese të kulmit të objektit të Komunës në lagjen ‘Arbëria’ në kryeqytet.

Për këtë, Komuna e Prishtinës shkaktarë bëri erërat e forta.

Mirëpo, pas interesimit të KALLXO.com, Instituti Hidrometeorolgjik i Kosovës (IHMK) ka ndarë të dhënat e shpejtësisë së erës në kohën kur u shemb kulmi i objektit të Komunës së Prishtinës.

Nga IHMK kanë deklaruar se shpejtësia e erës e regjistruar në atë kohë, sipas parametrave të tyre, ka qenë 9.8 m/s (metër/sekondë) që do të thotë se ka qenë erë mesatarisht e fortë.

Ndërsa, dëmet që mund të shkaktohen si pasojë e kësaj shpejtësie, sipas IHMK, janë se drunjtë e vegjël me gjethe fillojnë të tunden, lëvizin flamuj e të ngjashme.

Objekti i ri i Komunës është ndërtuar në vitin 2009.