Remzije Zeqiraj zgjidhet Komisionere parlamentare e FSK-së

Remzije Zeqiraj është zgjedhur Komisionere parlamentare e Forcës së Sigurisë së Kosovës me mandat 5-vjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje.

Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, të mbajtur më 14.02.2024, për të votuan 90 deputetë.

Në raundin e parë 41 vota ishin për Zeqirajn, 39 për Fadil Hadërgjonajn dhe 10 për Sami Hajrullahun. Ndërsa në raundin e  dytë, Zeqiraj mori 49 vota, ndërsa Hadërgjonaj 43.

Në raundin e parë në votim morën pjesë 98 deputetë, me ç’rast 8 vota ishin të pavlefshme. Ndërsa në raundin e dytë, votuan 96 deputetë dhe 4 vota u shpallen të pavlefshme.

Nga Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes kandidatët u vlerësuan me këto pikë; Sami Hajrullahu mori 89 pikë, Fadil Hadërgjonaj 88 pikë ndërsa Remzije Zeqiraj mori 85 pikë.

Hajrullahu, Zeqiraj dhe Hadërgjonaj ishin tre kandidatët që u selektuan për komisioner të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Zgjedhja e Komisionerit parlamentar të FSK-së kishte dështuar herën e parë, në seancën parlamentare të 4 tetorit 2023.

Asokohe dy kandidatët Fadil Hadërgjonaj e Fetah Zejnullahu nuk arritën të marrin votat e deputetëve, në të dy raundet e votimit.

Në rundin e parë, Hadërgjonaj kishte marr 27 vota, ndërsa Zejnullahu 11 vota, kurse 41 vota ishin të pavlefshme.

Në rundin e dytë 37 vota ishin të pavlefshme, ku Hadërgjonaj mori 24 vota ndërsa Zejnullahu 6 vota.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca kishte thënë që votat që kanë marrë dy kandidatët janë të pavlefshme andaj konkursi duhet të përsëritet brenda 60 ditëve.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni pati kritikuar ashpër deputetët pas dështimit të zgjedhjes së komisionerit.

“Jeni vetë të pavlefshëm” – u kishte thënë Quni kolegëve të tij.

Komisionari, bazuar në ligj, ndër tjera e ka autoritetin që të trajtoj ankesa dhe të kërkojë informata dhe qasje në të dhënat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.

Kushdo që zgjidhet në këtë pozitë ka të drejtën të “kërkoj informata dhe qasje në institucione tjera në lidhje me pjesëtarin e FSK-së; të thërras në dëgjim, apo të intervistoi ankuesin, dëshmitarët, apo palët tjera të përfshirë në proces të ankesës; të kërkoj mbështetje me ekspertizë nga ekspertët; të procedojë tek organet përgjegjëse dosjen e një çështjeje penale apo disiplinore në rastet e dyshimta për shkelje legjislacionit në fuqi; si dhe t’i vizitojë Ministrinë e Mbrojtjes dhe njësitet e FSK-së, në çdo kohë, me dhe pa paralajmërim”.

Sipas ligjit, Komisionari zgjidhet me votim të fshehtë nga Kuvendi i Kosovës, me shumicën e votave të deputetëve të Kuvendit të pranishëm dhe që votojnë. Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën e nevojshme në votimin e parë, organizohet votimi i dytë, në mes të dy kandidatëve, të cilët kanë marrë numrin me të madh të votave në votimin e parë. Nëse në votimin e dytë, asnjëri nga kandidatët nuk zgjidhet, Kuvendi në afat prej 60 ditësh, duhet të shpallë sërish konkursin për Komisionar.