Reforma zgjedhore në Kosovë, Haki Abazi kërkon nga shoqëria civile ta përcjellin procesin

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi përmes një konferencë për media ka folur për rëndësinë e reformës zgjedhore në Kosovë.

Abazi tha se para dy javësh ka nisur punën komisioni ad-hoc dhe kërkoi nga mediat që ta përcjellin këtë proces.

“Reforma zgjedhore është një prej proceseve më të rëndësishme, para 2 javëve ka filluar punën komisioni ad-hoc. Me vite të tëra është zgjatur ky proces. Po i thërras mediat, shoqërinë civile që ta përcjellin këtë proces”- ka thënë Abazi.

Sipas tij, ligji aktual ka lejuar deformim të plotë të vullnetit të qytetarëve, pasi është lejuar të bëhet pazar me votat.

“Ligji që kemi sot ka lejuar deformimin e plotë të vullnetin e qytetarëve, masakrimi i votës së qytetarit bëhet në momentin e numërimit, aty komisionarët dhe ata që janë të ulur aty bëjnë pazare se cilit do t’i takojnë votat”- shtoi ai.

Abazi theksoi se ligji i ri duhet ta largoj këtë hapësirë të manipulimit të votës së qytetarit, kjo sipas tij,  bëhet me reformën zgjedhore.

Tutje, deputeti Haki Abazi shtoi se duhet bërë digjitalizm i procesit zgjedhor dhe që Kosova të ndahet në 5 zona zgjedhore.

“Puna e parë është digjitalizimi i procesit zgjedhor, kjo duhet patjetër të përfshihet në ligjin e ri dhe reformën zgjedhore. Propozoj që Kosova të ndahet në 5 zona zgjedhore dhe të jenë përfaqësim i qytetarëve, çështja tjetër është zgjedhja e drejtpërdrejte me votën qytetare, dhe jo nëpërmjet marrëveshjeve dhe kompromiseve të cilat bëhet peng i partive politike në parlament” – tha ai.

Abazi më tej shtoi se, ligji zgjedhor duhet të rregulloj demokracinë e brendshme në parti politike.

“Ligji zgjedhor duhet të rregulloj edhe demokracinë e brendshme në parti politike, duhet të kemi një garë të brendshme mes kandidatëve prej pushtetit lokal deri në pushtetin nacional. Të mos presim për diskutime publike për ligjin, por ekspertët, mediat, shoqëria civile të marrin pjesë në punën për reformën zgjedhore”- ka thënë Abazi

Sipas tij, ligji zgjedhor dhe reforma zgjedhore nuk bëhen për çdo vit prandaj është puna më me rëndësi në këtë legjislaturë.