Reforma në RTK, debat në mes deputetit të PDK-së dhe drejtorit të përgjithshëm
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala ka kërkuar sqarime dhe informacione nga Bordi dhe menaxhmenti i Radio Televizionit Publik, në lidhje me nisjen e reformës në këtë medium.
Shala në mbledhjen e Komisionit për Buxhet, kërkoi të dijë bazën e nisjes dhe nevojës për reformën e brendshme në RTK.
Sipas Shalës, televizioni publik ka pasur nevojë për reformë.
“Cilat akte juridike normative jeni t`u i ndjekë për reformën? Para se të filloni a keni pas studim analize arsyeshmeri mbi të cilin ja keni nis reformës. Po më intereson a keni strategji, pritjeje? Personalisht mendoj që ka pas nevojë për reformë, ka qenë koha. Por ne duhet të kemi një udhërrëfyes për këtë. Kush është grupi që po e udhëheq këtë reformë? Reforma ka kosto, në secilin sektor, sa është kosto? A keni planifiku kosto? Këto na duhen të shkruara. A keni auditu sektorin e teknologjisë së informacionit? Si është gjendja? Ka pas një sulm kibernetik, a janë kthy të dhënat? Në çfarë baze e paguani auditoren, sa? Dhe relacionin me sindikatat për reformën?”- tha Shala.
Por, drejtori gjeneral i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj tha se ekziston një dokument prej 130 faqesh mbi të cilin është duke u punuar mbi reformën, por që dokumenti i tillë është “i klasifikuar”.
“Është dokument i klasifikuar 130 faqesh”- tha Ahmetxhekaj.
Deputeti Shala kritikoi ashpër një gjë te tillë.
“Nuk mund të punoni ne medium me një plan sekret sepse nuk ju lejon as ligji. Për mua nuk ka sekret publik, deputetët duhet të kenë gjithçka. Na shkruaj mbi cilin vendim jeni bazu që e keni klasifku. Për herë të parë po dëgjoj që një medium publik ka të klasifikuar”- Ferat Shala.
“Nuk dëshirojnë që ai dokument të dal në publik në këtë periudhë kur jemi në proces të brendshëm. Nuk është frikë. Mund të dëmtohet procesi. Nuk e kena mbajt msheft”- tha Ahmetxhekaj.
“Transparenca dhe debati vetëm i ndihmojnë procesit”- u përgjigj deputeti Shala.
Ndërkaq kryetari i Bordit Besnik Boletini tha se Sindikatat kanë qenë pjesë e procesit, dhe ka pas takime me punëtorë.
Bordi dhe menaxhmenti në punëtori për reformë brenda RTK-së