Dosja e Prokurorisë për rastin "Brezovica": Dyshohet se mbi 410 mijë euro ryshfet u dhanë për kompleksin dhe hotelin “Stella Consultiong”

KALLXO ka siguruar dosjen e hetimit lidhur me rastin e njohur si “Brezovica” ndaj 10 të arrestuarve në aksionin e djeshëm të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, ndër ta edhe ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës Bratisllav Nikoliq.

Nikoliq po dyshohet se në cilësinë e Kryetarit të Shtërpcës nga viti 2014 deri në vitin 2018 ka pranuar ryshfet – para dhe dhurata me qëllim të lëshimit të lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri”, në vikend zonën e Brezovicës.

Prokuroria po pretendon se ish-kryeari  Nikoliq ka pranuar 210 mijë euro ryshfet për dhënien e 21 lejeve ndërtimore të vikend shtëpizave për investitorin “Stella Consullting”, si dhe 200 mijë euro të tjera për lejen ndërtimore të objektit hotelier “Stella Consullting”.

Me këto veprime Nikoliq po dyshohet se ka kryer veprat penale “marrja e ryshfetit”, “keqpërdorimi i detyrës”.

Po ashtu, Nikoliq po dyshohet se ka kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit”, duke ndikuar në vendimmarrjen e personave zyrtarë për dhënien e lejeve ndërtimore.

KALLXO.com nga mëngjesi i ditës se djeshme ka përcjellë dhe raportuar rreth ecurisë së këtij aksioni që është zhvilluar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj në bashkëpunim me Departamentin e Krimeve të Rënda të Policisë së Kosovës.

Prokuroria Themelore në Ferizaj dje pas zhvillimit të aksionit mbajti një konferencë për media ku u shpalosën rezultatet e këtij aksioni.

Ish-kryetari i Shtërpcës, Bratislav Nikoliq; drejtori i Urbanizmit, Dimitrije Raçiçeviq; Dragomir Milosavleviq dhe Hysni Bajrami – inspektorë të ndërtimit të Komunës së Shtërpcës; Sasha Milosavleviq, drejtor i Kadastrit të Komunës së Shtërpcës, Raif Bajrami, shef i Inspektoratit të Komunës së Shtërpcës, dy persona përgjegjës të dy kompanive dhe dy persona të tjerë që dyshohen se ndihmuan kryerësit pas kryerjes së veprës penale – u arrestuan dje edhe ndaj tyre është kërkuar masa e paraburgimit ndërsa seanca po mbahet sot në Gjykatën e Ferizajt.

KALLXO.com është duke e përcjellur procesin para Gjykatës Themelore në Ferizaj dhe po raporton lidhur me zhvillimet.