Reagon Sindikata e Policisë së Kosovës: Policia po fajësohet pa arsye
Sindikata e e Policisë së Kosovës ka reaguar duke thënë se Policia e Kosovës është duke u fajësuar pa arsye lidhur me rastin e vrasjes së 48-vjeçares në Llaushë të Skenderajt edhe për disa raste të tjera.
“Lidhur me rastin e vrasjes së fundit në Skenderaj por edhe për disa raste të tjera, Policia e Kosovës është duke u fajësuar pa arsye. Policia i përgjigjet çdo thirrje që paraqitet nga qytetarët dhe çdo rast e trajton me përgjegjësi dhe profesionalizëm”, thuhet në reagimin e Sindikatës së Policisë.
Kjo sindikatë ka thënë se të gjitha veprimet hetimore, policia, i kryen sipas urdhërave të prokurorit.
“Gjithë ata që duan t’a fajësojnë Policinë fillimisht duhet t’i dinë kompetencat e Policisë, Prokurorisë dhe të Gjykatës. Policia ka të drejtë t’a mbajë të ndaluar një person vetëm gjashtë orë, kurse për ndalim prej 48 orëve vendos prokurori dhe për caktim paraburgimi vendos gjyqtari i procedurës paraprake, prandaj Policia është vetëm ekzekutuese e këtyre vendimeve”, thuhet tutje në komunikatë.
Përmes këtij reagimi Sindikata e Policisë së Kosovës ka kërkuar nga të gjitha institucionet qeveritare dhe joqeveritare që mos ta fajësojnë Policinë pa arsye.
“Kërkojmë që të mos fajësojnë Policinë pa arsye sepse po njollosemi dhe po dëmtohemi edhe si institution edhe individualisht vetëm e vetëm që jemi të parët që i përgjigjemi çdo rasti duke rrezikuar edhe jetën”, thuhet në reagimin e Sindikatës së Policisë.
Më 5 janar, 48-vjeçarja Lirije Qerimaj dyshohet se u vra me gjashtë plumba nga burri i saj, Skender Qerimaj në Llaushë Skenderaj.
Lirije Qerimaj, më 1 janar kishte kërkuar mbrojtje nga shteti pas dhunës nga burri i saj, ndërsa kërkesa për mbrojtje ishte dorëzuar në ditën kur ajo u vra, më 5 janar.
Komandanti i Stacionit policor në Skenderaj, Muhamet Kajtazi, i kontaktuar nga KALLXO.com ka dhënë shpjegimin e tij se pse Policia nuk ka kërkuar masën mbrojtëse për viktimën Lirije Qerimajn.
“Policia kur është diçka emergjente edhe në festa edhe pushime i kryen punët menjëherë. Në këtë rast qysh është raportuar me datën 1, qysh janë biseduar gjërat me datën 1, nuk ka dhënë indikacione që ka pasur diçka emergjente. Të gjitha veprimet policore janë ndërmarrë vetëm se nuk është interpretuar nga askush që është diçka emergjente, as viktima nuk e ka dhënë bindjen që është diçka emergjente”, ka thënë Kajtazi për KALLXO.com.
Dje në qytetin e Skenderajt është organizuar protestë për të dënuar vrasjen e 48 vjeçares nga Llausha e cila dyshohet se u vra nga bashkëshorti i saj. Në këtë protestë u kërkua edhe shkarkimi i komandantit të Policisë.