Protestë për vrasjen në Llaushë, kërkohet shkarkimi i komandantit të Policisë (FOTO+VIDEO)

Organizata “Gratë Intelektuale të Drenicës” ka protestuar sot në Skenderaj duke kërkuar shkarkimin e komandantit të Policës lidhur me rastin e vrasjes së 48 vjeçares në Llaushë e cila dyshohet se u vra nga bashkëshorti i saj, e cila pesë ditë më parë kishte raportuar në Polici dhunën nga i dyshuari.

Nën thirrjet “Boll ma”, “Duam siguri”, “Ku mu anku na”, “Stop vrasjeve të grave”, “Polici i ki duart me gjak”, protestuesit kanë dënuar vrasjen e 48 vjeçares në Llaushë.

Protestuesit kanë kërkuar seriozitet nga institucionet që përgjegjësit të vihen para drejtësisë.

Arbnora Fejza tha se janë mbledhur për të ngritur zërin për vrasjet e vazhdueshme që po ndodhin në vendin tonë.

“E ngrisim zërin dhe kërkojmë nga institucionet tona të që ta marrin më përgjegjësi këtë çështje dhe të dënohen ata që marrin jetë. Nuk meritojnë nënat tona të trajtohen në këtë mënyrë. Ta ngrisim zërin ndaj padrejtësive që po bëhen”, u shpreh ajo.

Bahtije Sejdiu, qytetare e Skenderajt gjatë protestës tha se vrasja e grave nuk është trimëri, është poshtërsi.

“Vrasja e grave nuk është trimëri, është poshtërsi. Dashtë Zoti që të mos përsëritet, jo vetëm në Drenicë por askund”, tha ajo.

51-vjeçari Skender Qerimaj me 5 janar dyshohet se me dashje ka vrarë me gjashtë plumba bashkëshorten e tij Lirije Qerimaj, pas një mosmarrëveshje të vazhdueshme me të.

Pesë ditë para vrasjes, viktima e kishte denoncuar dhunën fizike nga bashkëshorti i saj Skender Qerimaj në Policinë e Kosovës.

Sipas dosjes së Prokurorisë, për caktimin e masës së paraburgimit, rezulton se viktima Lirije Qerimaj më 1 janar 2022 në Stacionin Policor në Skenderaj kishte ushtruar kallzim penal ndaj Skender Qerimajt për dhunë në familje.

Shpjegimi i komandantit të Policisë në Skenderaj pse nuk u kërkua urdhri mbrojtës për gruan që u vra në Llaushë