Foto: Facebook

Reagon Drejtori Mjekësor i Spitalit në Pejë pas shkarkimit: Është shkelje ligjore

Një rast i rëndë ka ndodhur javën e kaluar në Spitalin e Pejës, me ç’rast një foshnje e lindur pa shenja jete dyshohet se ishte futur në lavatriçe bashkë me çarçafë.

Në lidhje me këtë rast, drejtori i Spitalit sot njoftoi se ka shkarkuar drejtorin Mjekësor dhe drejtorin për Infermieri.

Ndaj këtij shkarkimi ka reaguar drejtori Mjekësor, Muhamet Halitaj.

Halitaj përmes një postimi në Facebook tha se është njoftuar për shkarkim përmes faqes zyrtare e Spitalit të Pejës.

Ai thotë se është befasuar nga vendimi, sepse sipas tij, këto vendime nuk merren ditën e diele kur zyra e protokollit dhe e vulës është e mbyllur dhe njoftimi për shkarkim pa vendim zyrtar është shkelje ligjore.

“Jam i njoftuar për rastin në fjalë, përmes njoftimit për opinion nga faqja zyrtare e Spitalit të Pejës, dhe është për t’u befasuar sesi sot është ndërrmarrur një vendim i tillë, derisa jemi në shfrytëzim të ditës së vikendit dhe vendimet nuk mund të merren në vikend, meqë zyra e protokolit dhe e vulës është e mbyllur dhe njoftimi për shkarkim pa vendim zyrtar konsideroj se është shkelje ligjore”- shkruan Halitaj.

Halitaj tha se rasti në fjalë nuk përputhet me përgjegjësitë dhe detyrat e tij si drejtor mjekësor.

“Po ashtu në këtë njoftim shkruan se shkarkimi është bërë si përgjegjësi direkte për rastin në fjalë, pra për frytin e vdekur. Sa për opinion ju sqaroj se ky rast nuk përputhet aspak me përgjegjësit dhe detyrat e drejtorit mjekësor. Deri sa drejtori mjekësor është përgjegjës i punës së mjekëve, e në rastin në fjalë personeli mjekësor nuk e neglizhoj rastin  duke e përfunduar kujdestarinë atë natë me përgjegjësi të plotë”- ka deklaruar ai.

Më tej, ai ka thënë se gjithçka në lidhje me rastin është dokumentuar dhe sipas tij pacientja e pajisur me fletë lëshim është liruar në gjendje të rregullt.

“Pacientja e pranuar është ekzaminuar, ajo dhe familja janë njoftuar për frytin e vdekur, pacientja është operuar me kohë, terapinë e ka marrë me kohë, gjithçka lidhur me rastin është dokumentuar dhe pacientja e pajisur me fletë lëshim është liruar në gjendje të rregullt. Po ashtu foshnja e vdekur gjatë intervenimit kirurgjik i është dorëzuar mamisë që e njëjta të vazhdonte me procedura tjera”- është shprehur Halitaj.

Drejtori i Spitalit Rajonal në Pejë sot ka njoftuar se në kuadër të masave lidhur me rastin e trajtimit të frytit të vdekur ka shkarkuar Drejtorin Mjekësor dhe Drejtorin për Infermieri.

“Shkarkimi është bërë si përgjegjësi direkte menaxheriale lidhur me rastin e frytit të vdekur”- thuhet në njoftimin e spitalit.

Shkarkimet e sotme erdhën pas shkarkimeve të tjera që ndodhën ditëve të kaluara.

Dje, Spitali i Pejës ka njoftuar se ka shkarkuar shefin dhe kryeinfermieren e repartit të Gjinekologjisë, pas dyshimeve se një foshnje e lindur pa shenja jetë u fut në lavatriçe javën e kaluar.

Ky spital kishte shkarkuar shtatë punonjës të saj për këtë rast, të mërkurën.