Foto: Albiona Tasholli/Facebook

Rasti i dyshuar për shtytje në vetëvrasje, reagon asamblistja e LDK-së pas arrestimit të vëllait dhe babait të saj

Dy persona janë arrestuar e një i tretë është në kërkim nën dyshimin se kanë kryer veprën penale – shtytje në vetëvrasje, rast që ka ndodhur në Graçanicë, e rasti në fjalë nga Prokuroria e Prishtinës është duke u hetuar edhe për fajde.

Të arrestuar për rastin janë dy persona, babë e bir.

E për këtë reagoi familjarja e tyre, e cila është asambliste nga radhët e LDK-së në Lipjan, Albiona Tasholli.

Ajo në një reagim në profilin e saj në Facebook tha se beson në pafajësinë e babait dhe vëllait të saj.

Tasholli tha se situata për të është shqetësuese e se e vërteta sipas saj pa dyshim që do të dalë në dritë.

“Jemi të pastër para Zotit dhe do të dëshmohemi të pafajshëm edhe para ligjit” – tha ajo.

“Ndërkohë që përjetoj presion psikologjik nga mediat me akuza të rreme, betohem se do të vijë dita kur do të ballafaqohem edhe me ju para organeve të drejtësisë” – shtoi tutje asamblistja.

Tasholli shtoi se mendon se nuk duhet të flitet fjala e fundit e para e se ky është sqarimi i fundit i saj për këtë rast.

“Po jemi të pafajshëm” – përfundoi ajo postimin e saj.

Lidhur me këtë rast Prokuroria e Prishtinës ka konfirmuar për KALLXO.com se ngjarja është duke u hetuar edhe për fajde.

“Prokurori kujdestar ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e dy personave, të dyshuar për veprat penale ‘Shtytja në vetëvrasje’ dhe ‘Fajdeja’” – ka thënë zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj.

Ulaj tutje tha se Prokuroria në koordinim me Policinë janë duke ndërmarrë veprime hetimore lidhur me këtë rast.

Çka dihet deri më tani?

Në raportin 24-orësh policor është njoftuar se dje, më 14.05.2024, në 07:00h në Graçanicë një burrë ka raportuar se ka vërejtur një person që dyshohet se ka qenë i vdekur.

Më të marrë informacionin, ekipet e Policisë bashkë me ekipet mjekësore kanë dalë në vendin e ngjarjes. Aty ekipi mjekësor ka konfirmuar vdekjen e viktimës.

Tutje raporti zyrtar i Policisë ka bërë të ditur se me vendim të prokurorit trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Në vazhdën e veprimeve hetimore, zyrtarët policorë në koordinim me prokurorin dhe me urdhër të gjyqtarit kanë bërë bastisje në dy lokacione të ndryshme.

Në shtëpinë e njërit prej të dyshuarve gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar disa dokumente, ndërsa në lokacionin e dytë në shtëpinë e dy të dyshuarve nuk është gjetur asgjë e dyshimtë që ndërlidhet me rastin.

Policia njoftoi se dy prej të dyshuarve janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

Po ashtu u tha se i dyshuari i tretë pasi që nuk është hasur në shtëpi është në kërkim policor.

Dyshimet për shtytje në vetëvrasje në Graçanicë, Prokuroria po heton rastin edhe për fajde