Rasti i 400 kg kokainë, ish-dëshmitari bashkëpunues dënohet për armë pa leje

Izet Sheqiri, Kadri Sheqiri, Faton Vrajolli, Kadri Brahimi dhe Fehmi Bytyqi, martën më datë 14.02.2024, janë ulur në bankën e të akuzuarve lidhur me gjykimin për rastin e 400 kg kokainë që ishin kapur në oborrin e një kompanie private në hyrje të Lipjanit në maj të vitit 2021.

Në seancën e sotme u bë e ditur se lidhur me këtë rast është ngritur një aktakuzë e re nga Prokuroria Speciale kundër njërit prej të akuzuarve.

Rasti ka të bëjë me të akuzuarin Kadri Sheqiri, ndaj të cilit më datë 12.02.2024 u ngrit aktakuzë për armëmbajtje pa leje nga prokurori Valdet Gashi.

Gjykata refuzoi që rasti i tillë të gjykohet së bashku me rastin aktual për kontrabandim të drogës dhe u vendos që të dy rastet të gjykohen veçmas.

Kështu, me rastin e mbajtjes së shqyrtimit fillestar, i akuzuari Kadri Sheqiri e pranoi fajësinë lidhur me akuzat për armëmbajtje pa leje.

Pas pranimit të fajësisë Sheqiri u dënua me 6 muaj burgim për armëmbajtje pa leje, dënim i cili me pëlqimin e tij mund t`i shndërrohet në gjobë në shumë prej 3 mijë euro.

Shpallja e aktgjykimit lidhur me rastin u bë vetëm disa orë pas seancës nga gjyqtari i rastit Musa Konxheli.

Kujtojmë se i akuzuari Kadri Sheqiri ka mbajtur statusin e dëshmitarit bashkëpunues deri në seancën e datës 18.07.2023 pasi i njëjti ishte tërhequr nga kjo cilësi.

Prokurori i rastit Valdet Gashi në seancë u deklarua lidhur me këtë rrethanë.

“Pas krijimit të rrethanave të reja në raport me dëshmitarin bashkëpunues Kadri Sheqiri, i cili është deklaruar në seancën e datës 18.07.2023 se heq dorë nga cilësia e dëshmitarit bashkëpunues pas komunikimit me mbrojtësin e tij”. “Si rezultat i kësaj Prokuroria ka vazhduar procedurën penale në drejtim të veprës penale mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armës”- deklaroi prokurori Valdet Gashi.

Në seancë u deklarua edhe avokati Besnik Berisha, i cili tha se drogën që është objekt i çështjes e ka dërguar shteti në kompaninë e të mbrojturit të tij Izet Sheqiri – “MC Food”

“Plotësisht e kanë të njohur edhe Prokuroria se shteti ynë meqë ua ka dërguar drogën vetë atje, së paku e ka me mbajt një gjykim të drejtë e të shpejtë, t`ua dedikoj që pafajësia e tyre të mos provohet nga ne, se s`e kemi obligim, por të vërtetohet nga ju”- u shpreh avokati Berisha.

Berisha tërhoqi edhe një paralele mes këtij rasti dhe rastit të Naser Kelmendit, i cili akuzohej për vepër të përafërt të kontrabandimit me narkotikë, i cili pas 10 vitesh gjykim u lirua nga Gjykata e Apelit.

Po ashtu gjatë seancës së sotme avokati Berisha i propozoi gjykatës që të akuzuarve të u zëvendësohet masa e paraburgimit me masën e arrestit shtëpiak.

Kërkesë kjo që u refuzua nga trupi gjykues i kryesuar nga Musa Konxheli, me anëtarët Valon Kurtaj dhe Valbona Musliu- Selimaj.

Seancat e radhës u caktuan për datat 27.03.2024, 11 dhe 12.04.2024.

Në këtë rast të akuzuar të tjerë kishin qenë edhe Naim Morina e Hyzri Sheqiri për pengim të procedurës penale, gjë për të cilën kishin pranuar fajësinë e më pas ishin dënuar nga Gjykata e Prishtinës.

Në muajin maj të vitit 2021, 400 kilogramë drogë të llojit kokainë ishin kapur në oborrin e një kompanie private në hyrje të Lipjanit.

Kokaina kishte qenë e kamufluar në paketim të mishit të pulës në kamionin i cili po e bartte atë.

Në atë kohë, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, kishte thënë se sipas informatave dërgesa ishte nisur nga Brazili.

Sipas aktakuzës gjatë janarit të vitit 2022 në Prishtinë, Morina dhe Hyzri Sheqiri në bashkëkryerje kanë planifikuar të ndërmarrin veprime konkrete për pengimin e të provuarit në çështjen penale ndaj Izet Sheqirit dhe të tjerëve për veprën penale pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal si dhe blerje dhe shpërndarje e paautorizuar e narkotikëve.

Sipas pikës tre të aktakuzës Morina dhe Sheqiri me qëllim që të ndikojnë në këtë proces kanë planifikuar dhe kanë përdorur metoda specifike për të bërë të pamundur qasjen e organeve të drejtësisë në dëshmitarin bashkëpunues.

Të pandehurit kanë planifikuar që të njëjtin ta largojnë jashtë shtetit të Kosovës në drejtim të njërit nga shtetet fqinje, pastaj për ta nxitur që ta ndryshoj dëshminë e dhënë si dëshmitar bashkëpunues.

Tutje të njëjtit kanë shtyrë dëshmitarin bashkëpunues që të realizoj vizita mjekësore në Klinikën e Psikiatrisë në QKUK për të konsideruar se gjoja i njëjti është i sëmurë psikik.

Sipas Prokurorisë, për këto veprime i pandehuri Hyzri Sheqiri i ka dhënë para në shumë prej 20 mijë euro të pandehurit Naim Morina.

Me këto veprime të pandehurit akuzoheshin se kanë kryer veprën penale pengim të provuarit apo procedurës zyrtare.